Fjalë Kyçe

Për herë të katërt lëshohet urdhërarrest ndaj kryetarit të Novobërdës

Për herë të katërt lëshohet urdhërarrest ndaj kryetarit të Novobërdës

Gjykata Themelore në Gjilan, për të katërtën herë me radhë ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj kryetarit të Komunës së Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq.

Një urdhëresë e tillë është lëshuar, pasi që i akuzuari Ivanoviq, ka munguar në seancën e së hënës, në rastin ku ai akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, Naser Maliqi ka njoftuar se i akuzuari është ftuar në mënyrë të rregullt nëpërmes procesverbalit të seancës së fundit, por që mos ardhjen e tij nuk e ka arsyetuar.

Sipas gjykatësit Maliqi, gjykata ka bërë përpjekje edhe nëpërmes telefonit të vë kontakt me të akuzuarin, por sipas tij, Ivanoviq, telefonin e ka pasur të mbyllur.

Prokurori Arben Kadriu, ka propozuar që ndaj të akuzuarit të përsëritet urdhëresa për sjellje me dhunë, të cilin propozim e ka aprovuar trupi gjykues, i udhëhequr nga kryetari Naser Maliqi, i cili ka thënë se nëse i akuzuari edhe pas kësaj nuk paraqitet në gjykatë, do të shqyrtohet mundësia e caktimit të paraburgimit ndaj tij.

Seancën tjetër për këtë rast, gjykatësi Maliqi e ka caktuar të mbahet më 20 janar 2020, në ora 9:00.

Në seancën e 21 qershorit të këtij viti, po ashtu kishte munguar i akuzuari Ivanoviq, e që pastaj ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj tij, mirëpo siç kishte thënë gjykatësi Maliqi, në ndërkohë nëse ai do ta arsyetonte mos ardhjen e tij, gjykata do ta tërhiqte këtë urdhëresë.

Gjithashtu, edhe në seancat e 20 shtatorit dhe 18 tetorit të këtij viti, ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me dhunë ndaj të akuzuarit Ivanoviq, pasi ai nuk ishte paraqitur në gjykatë, edhe pse sipas gjykatësit Maliqi, ai ishte i ftuar në mënyrë të rregullt.

Kryetari i Novobërdës Ivanoviq, në seancën fillestare të 25 janarit të vitit 2019, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Sipas aktakuzës së ngritur në dhjetor të vitit 2018, pretendohet se më 15 nëntor 2017, në Novobërdë, i akuzuari si person zyrtar, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Novobërdës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për personin tjetër juridik – Shoqatën e Gjuetarëve “Kalaja” ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe ka shkelur të drejtat e personit tjetër juridik – Shoqatës së Gjuetarëve “Ujku”, në atë mënyrë që Shoqatës së Gjuetarëve “Kalaja”, i ka dhënë në shfrytëzim dhe menaxhim tërë territorin e komunës së Novobërdës dhe një zyre në objekt të kësaj komune.

Me një veprim të tillë, prokuroria pretendon se i njëjti i ka shkaktuar komunës dëm material në vlerë të përgjithshme prej 12.200,00 euro.

Ndryshe, në mars të vitit 2017, Gjykata Themelore në Gjilan, e kishte dënuar me 4,500 euro gjobë kryetarin e Komunës së Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq, me arsyetimin se ai ishte gjetur fajtor në një rast tjetër, për dy vepra tjera penale, atë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe konflikt të interesit.