Fjalë Kyçe

Për katër vjet gati një mijë zyrtarë u sulmuan në vendin e punës

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët e institucioneve në vend sulmohen në vendin e tyre të punës. Më të shpeshtat janë sulmet ndaj policëve e mjekëve. Një prej këtyre rasteve është edhe ai i dhjetorit. Sipas statistikave të Policisë që nga 2014’ta janë sulmuar 934 zyrtarë.

Dita e 26 dhjetorit të 2018’ës nuk kishte përfunduar edhe aq mirë për një prej mjekëve në Zhegër të Gjilanit. Ai ishte sulmuar me sëpatë po atë ditë në vendin e tij të punës.

R.H dyshohet se e kishte sulmuar mjekun, pasi që i njëjti nuk i ofroi ndihmë vajzës së tij, 2 vjeçare, për shkak të grevës. Pas kësaj, ai e kishte kapur për fyti mjekun dhe e kishte përplasur për orendi, derisa kishin ndërhyrë personat që gjendeshin në shtëpi.

“Ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari, më 26 dhjetor 2018, në shtëpinë e Shëndetit në fshatin Zhegër… merr një sëpatë dhe me të e sulmon mjekun duke e kapur për fyti dhe përplasur për orendi, derisa aty ndërhyjnë personat prezent dhe e largojnë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore e Gjilanit ka ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale ‘’Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare’’.

Por, ky nuk është rasti i vetëm në vend kur një zyrtar sulmohet në vendin e punës.

Numri i këtyre rasteve vetëm sa po shkon duke u rritur me kalimin e viteve. Vetëm në dy vitet e fundit numri i këtyre rasteve shkon në rreth 300.

Ndërkohë, sipas statistikave që ka siguruar Gazeta Express nga Policia e Kosovës, që nga 2014’ta në vend janë sulmuar 934 zyrtarë gjatë kryerjes se detyrës zyrtare.

Në bazë të raportit 24 orësh, shumica e tyre janë policë e mjekë.

 

  • 2014 – 172 raste të raportuara

 

  • 2015- 183 raste të raportuara

 

  • 2016- 193 raste të raportuara

 

  • 2017 – 160 raste të raportuara

 

  • 2018 – 200 raste te raportuara

 

  • 2019 – 26 raste te raportuara

 

Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dënohet edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Dënimet për këtë vepër sillen prej 3 muaj burgim e deri në 10 vite.

Në bazë të Nenit 410 të Kodit Penal, “kushdo që sulmon ose kanoset seriozisht se do ta sulmojë personin zyrtar, gjyqtarin, prokurorin apo personin i cili ndihmon në kryerjen e detyrave zyrtare lidhur me sigurinë e përgjithshme, sigurinë e Republikës së Kosovës apo ruajtjen e rendit publik, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.”

Ndërkohë, nëse vepra penale përfundon me lëndim trupor të personit zyrtar, atëherë kryesi mund të dënohet me burg deri në 5 vite.

“Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me lëndim të lehtë trupor të personit zyrtar apo ndihmësi të tij ose përfshin kanosje për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”, parashihet me Kodin Penal.

Derisa ‘nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me lëndim të rëndë trupor të personit zyrtar apo ndihmësit të tij, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet.”