Punimet për ndërtimin e sheshit në Obiliq nuk janë duke u zvarritur për shkak të shpronësimeve, ndonëse kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi pret që këtë vit të kryhen shumica e punimeve në këtë projekt.
Kryetari Gashi ka mohuar për KosovaPress, të kenë telashe me shpronësime, teksa thotë që janë në proces të përmbylljes së shpronësimeve.
Projekti për ndërtimin e sheshit ishte nisur në tetor të vitit kaluar dhe pritet të përfundoj në shtator të vitit 2020.
Objekte që presin të rrënohen janë edhe objekte banesore. I pari i komunës së Obiliqit shprehet për KosovaPress se të gjitha objektet e vjetra përreth sheshit do të rrënohen.
Gashi bëri të ditur se projekti do të zhvillohet sipas planit, derisa tha se është investim i përbashkët me Ministrinë e Infrastrukturës, ndërsa komuna ka participuar me rreth 200 mijë euro, kurse ministria me 1 milionë euro.
Ndërsa, mësohet se edhe objekti i Postës afër policisë do të rrënohet për t’u shndërrua në shesh.
Ndryshe, me ligjin e ri për Obiliqin, kësaj zone i mundësohet përkrahja financiare për projekte të ndryshme.