Fjalë Kyçe

Për Thaçin dhe të tjerët nuk kishte dhënë garanci as Qeveria Hoti

Për Thaçin dhe të tjerët nuk kishte dhënë garanci as Qeveria Hoti

Agron Halitaj, gazetar, ka përmendur se si ish-kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen-Petersen, kishte shprehur gatishmëri për ofrim të garancisë për mbrojtje në liri ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili po gjykohej për krime lufte në Hagë.

Halitaj ka thënë se një garanci e tillë nuk iu është ofruar ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen aktualisht nga Dhomat e Specializuara për krime lufte as nga Qeveria Hoti, e as nga kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani, shkruan Gazeta Express.

“Kur merret si shembull rasti i lirimit të Ramush Haradinajt nga Gjykata e Hagës për t’u mbrojtur në liri, dhe përmendet vetëm garancia e ofruar nga liderët institucional të asaj kohe në Kosovë, më në krye ish-presidentin Ibrahim Rugova, atëherë duhet ditur se kështu i hyhet në hak danezit, Soren-Jessen Petersen. Nuk duhet harruar se asokohe ky burr ishte kryeadministrator i Kosovës, dhe si i tillë ishte autoriteti numër një në vendin tonë. Me të shkuar Haradinaj në Hagë, ai menjëherë pati deklaruar publikisht se ishte i gatshëm të ofronte garanci nëse ish-kryeministrit do t’i ofrohej mundësia që të mbrohet në liri”, thuhet në postimin e tij.

“Pra ishte një i huaj që para kohe qe në gjendje të ofronte garanci për një lider kosovar, aso garancie që në shtetin e pavarur nuk u dha muaj më parë nga ish-kryeministri Hoti, e nuk po jepet as tash nga kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani, për ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentaret, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe deputetin, Rexhep Selimi”, shkroi tutje ai.

Garanci për mbrojtje me liri, sipas ish-kandidatit për deputet nga radhët e PDK’së, Hisen Berisha, ka shprehur edhe presidenti aktual kroat, Zoran Milanoviq.

”Një mik i imi në Kroaci më thotë, se Presidenti kroat është ofruar të jetë garant, i mbrojtjes në liri të këtyre personaliteteve. Dhe jo vetëm njërit nga ta që mund ta ketë më mik – në këtë rast po flas për z. Veseli- por për të gjithë ata që janë atje”, ka deklaruar Berisha.

Gjykata Speciale të premten ka bërë të ditur se ka refuzuar kërkesat e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për lirim nga paraburgimi.

Kjo nuk është hera e parë që ish-krerëve të UÇK-së u refuzohet kërkesa për gjykim në liri. Ata po akuzohen për krime lufte. Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë kryer një sërë krimesh që supozohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999.