Fjalë Kyçe

Për tri javë, 532 mësimdhënës dhe 712 nxënës të infektuar me koronavirus

Për tri javë, 532 mësimdhënës dhe 712 nxënës të infektuar me koronavirus

Në një periudhë trejavore, përkatësisht nga 15 marsi deri më 2 prill, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 532 mësimdhënës dhe 712 nxënës të infektuar me koronavirusin e ri.

Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

“Këto të dhëna merren nga Drejtoritë komunale të arsimit, ndërsa të dhënat e sakta i posedon vetëm Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) “, thuhet në përgjigjje të kabinetit të ministres së Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci, për Radion Evropa e Lirë.

Në institucionet e arsimit parauniversitar dhe atij universitar në Kosovë, aktiviteti mësimor, nga 12 prilli, është duke u zhvilluar në formatin online. Ky vendim është marrë nga Qeveria e Kosovës, me qëllim të luftimit të koronavirusit.

Nxënësit nga klasat një deri në pesë, aktivitetin mësimor po e zhvillojnë me prani fizike në shkolla. Ndërkaq, institucionet parashkollore do të vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19.

Mësimdhënësit në Kosovë po kërkojnë nga institucionet shëndetësore që të futën në listën me prioritet për vaksinimin kundër COVID-19, për shkak të siç thonë ata, rrezikshmërisë për t’u infektuar, por edhe për mbarëvajtjen e procesit mësimor në nivel të duhur.

Në përgjigjje të ministrisë së Arsimit, thuhet se “ministrja Nagavci e ka bërë të qartë se kjo do të trajtohet me prioritet dhe për këtë çështje është në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë. Do shikohet që prioritet t’u kushtohet mësimdhënësve me sëmundje kronike dhe atyre në moshë më të shtyer”.

Sa i përket vendimit rreth mënyrës se si do të mbahet mësimi javën e ardhshme, ministrja Nagavci ka thënë se vendimi do të merret varësisht nga rekomandimet e organeve kompetente, por edhe në dakordim me të gjitha drejtoritë komunale.