Fjalë Kyçe

Për vetëm katër muaj, Kosova importoi mbi 40 milionë euro mallra nga Serbia

Për vetëm katër muaj, Kosova importoi mbi 40 milionë euro mallra nga Serbia

Republika e Kosovës vazhdon të varet ende nga importi i madh prej vendeve të huaja.

Këtë e dëshmon edhe vlera vjetore e importit, duke marrë parasysh se vetëm gjatë vitit 2021, Kosova ka importuar mbi 3 miliardë euro mallra, shkruan lajmi.net.

Në anën tjetër, vetëm në katër muajt e parë të vitit 2022, Kosova ka importuar mbi 900 milionë euro mallra nga vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe ato të rajonit.

Vendin e parë sa i përket importit gjatë vitit 2021 dhe 2022 e mbajnë “lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e destilimit të tyre, substancat bituminoze dhe dyllet minerale”.

Gjatë vitit 2021, Kosova ka importuar më së shumti mallra nga Gjermania, në vlerë prej rreth 517 milionë euro, duke u pasuar më pas nga Turqia prej së cilës, Kosova ka importuar mbi 410 milionë euro mallra.

Në një përgjigje nga Dogana e Kosovës për lajmi.net, është bërë e ditur se Kosova gjatë vitit 2021 ka importuar nga Serbia mallra me vlerë 164 milionë e 699 mijë e 878.49 euro, duke e radhitur kështu shtetin fqinj në vendin e tetë në listën e vendeve nga ku Kosova ka importuar më së shumti mallra.

Serbia ka mbajtur vendin e tetë edhe në katër muajt e parë të vitit 2022, pasi që Kosova gjatë kësaj kohe ka importuar mallra me vlerë 40 milionë e 101 mijë e 127.25 euro nga ky vend.

Vlen të theksohet se Kosova gjatë vitit të kaluar, ka importuar mallra edhe nga Federata Ruse me vlerë mbi 38 milionë euro, ndërsa në katër muajt e parë të 2022-ës nuk ka pasur import nga këto vende.

E për dallim nga vendet prej ku Kosova importon më së shumti, janë krejtësisht vende të tjera aty ku shteti i Kosovën bën më së tepërmi eksport të mallrave.

Ditë më parë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tha për lajmi.net se shtetet ku eksportohet më së shumti nga Kosova janë: Shqipëria dhe Maqedonia e veriut.

“Produktet bazë kryesisht eksportohen në vendet e rajonit, Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi etj. në vlerë prej 1.3 milion euro.”, u tha nga MINT-i.

Në kuadër të produkteve bazë që eksportohen nga Kosova janë: Drithërat, mielli, vaji ushqimor, sheqeri dhe kripa.