Fjalë Kyçe

Përfaqësuesja e Serbisë në Eurovision në shënjestër të kritikave pasi pozoi me tavolina në formë të shkronjës ‘Z’ – simbol i ushtrisë ruse

Përfaqësuesja e Serbisë në Eurovision në shënjestër të kritikave pasi pozoi me tavolina në formë të shkronjës ‘Z’ – simbol i ushtrisë ruse

Fotografi i Radio Televizionit të Serbisë, Gordan Jovic, ka publikuar një seri fotografish të Konstraktas, të cilat janë realizuar në kuadër të fushatës zyrtare Eurovisionin dhe në të cilat ka tavolina në formën e shkronjës Z.

Kënga “In Corpore Sano” do ta përfaqësojë Serbinë në Festivalin Evropian të këngës, mirëpo skenografia interpretohet si mbështetje dhe lavdërim ndaj Rusisë.

Në fillim të agresionit kundër Ukrainës, Rusia përdori shkronjën ‘Z’ si simbol të njohjes së ushtrisë së saj. Simboli është bërë i njohur në mbarë botën dhe disa e krahasojnë me svastikën naziste.

Menjëherë është hedhur dyshimi nëse bëhet fjalë për përdorim të qëllimshëm të shkronjës Z, por nuk është e mundur që të mos merret parasysh konotacioni i kësaj skenografie.

Shkronja Z është një nga simbolet (duke përfshirë V dhe O) e vizatuara në automjetet ushtarake të Forcave të Armatosura Ruse të përfshira në pushtimin rus të Ukrainës. Më pas, u bë një simbol militarist i përdorur në propagandën ruse dhe nga civilët rusë si shenjë mbështetjeje për pushtimin.
Jashtë Rusisë, simboli është ndaluar të shfaqet publikisht në disa shtete, derisa në media ‘Z’ është krahasuar me svastikën naziste.

Kuptimi

‘Z’ është përdorur si një simbol pro-luftës për të përfaqësuar mbështetjen për pushtimin, pavarësisht paqartësisë së kuptimit të saj.
Ministria Ruse e Mbrojtjes në mars kishte bërë një postim në Instagram duke thënë se simboli “Z” është një shkurtim i frazës “Për fitore” (rusisht: “за победу”). Më vonë, kjo ministri sugjeroi kuptime alternative për ‘Z’, duke përfshirë “Për paqe” (rusisht: “за мир”), “Për drejtësinë” (rusisht: “за правду”).
Një interpretim tjetër për “Z” është fjala ruse për perëndimin (rusisht: “запад”), për të përcaktuar drejtimin kah perëndimi ose për të nënvizuar ambiciet perandorake të Kremlinit.
Konstrakta menjëherë u gjend në shënjestër të kritikave kryesisht për shkak të tavolinave në formë të shkronjës Z, të cilat e mbështesin (jo)qëllimisht Rusinë.

Kritikët e parë kanë qenë përdoruesit e Twitterit, të cilët nuk e kanë kursyer këngëtaren, emri i vërtetë i të cilës është Ana Djuric, përcjell telegrafi.

Në ndërkohë, RTS ka publikuar një deklaratë lidhur me këtë skenografi duke hedhur poshtë “çdo qëllim të ngjashëm dhe e konsiderojnë keqdashëse lidhjen e përfaqësueses së tyre me situatën aktuale politike në botë”.

“Tavolinat në fotografi janë përdorur për më shumë se tre vjet për nevojat e emisioneve tona dhe në këtë rast janë përdorur vetëm për një sesion fotografik. Të ngarkosh një kuptim të ri në atë element skenografik është absolutisht e pakuptimtë dhe në disa raste dashakeqe”, thuhet mes tjerash në deklaratën e Radio Televizionit të Serbisë.