Fjalë Kyçe

Përfundon gërmimi në Kizhevak, zhvarrosen mbetje mortore të së paku 9 personave

Përfundon gërmimi në Kizhevak, zhvarrosen mbetje mortore të së paku 9 personave

Është përmbyllur në Kizhevak të Rashkës në Serbi, procesi i gërmimeve vlerësuese dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, ka njoftuar Qeveria e Kosovës. Në bazë të ekzaminimit është konstatuar se numri minimal i individëve të zhvarrosur është nëntë. Prej tyre dy janë identifikuar përmes ADN-së.

Procesi i gërmimit në këtë lokacion është realizuar në dy faza, nga 30.11.2020 – 09.12.2020 (faza I) dhe nga 05.05.2021 – 26.05.2021 (faza II).

“Nga data 5 maj, kur kanë rifilluar gërmimet në këtë lokacion, është bërë vlerësimi i plotë i tërë lokacionit të shënjuar të varrezës masive dhe është bërë zhvarrosja e të gjithë eshtrave të viktimave të luftës që kanë qenë në këtë lokacion. Në bazë të ekzaminimit antropologjik është konstatuar se numri minimal i individëve të zhvarrosur është nëntë (9), prej të cilëve dy janë të identifikuar, përmes metodës së ADN-së, në fazën e I-rë të procesit të zhvarrimit”, thuhet në njoftim të Qeverisë.

Pjesë e gërmimeve ishin ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, në emër të Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, krahas ekspertëve të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ekspertëve të EULEX-it, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, si dhe institucioneve të Serbisë.

Lokacioni është vizituar edhe nga familjarët e personave të zhdukur dhe nga një delegacion i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq nga Gjeneva, të shoqëruar nga përfaqësuesit e dy delegacioneve në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur.