Fjalë Kyçe

Përfundon seanca e Kuvendit, miratohen disa projektligje

Përfundon seanca e Kuvendit, miratohen disa projektligje

Ka përfunduar seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës pas shqyrtimit të disa prej 30 pikave, të cilat kishin mbetur të papërfunduara nga seancat e 8 dhe 14 shkurtit. Pjesa tjetër e mbetur, do të trajtohet në një seancë të ardhshme.

Kalon projektligji për Këshillin e Sigurisë së Kosovës

(15:20) Kuvendi i Kosovës e ka miratuar projektligjin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ky projektligj garanton sistem të integruar të arkitekturës së sigurisë dhe rrit nivelin e gatishmërisë për t’i dalë ballë rreziqeve.

“Përmes këtij projektligji do të rregullohet mënyra e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të strukturave të sigurisë”, ka thënë Sveçla.

(15:00) Miratohet projektligji për shtetësi, lehtëson procedurat për Luginën e Preshevës

Me 63 vota për, Kuvendi i Kosovës i ka dhënë dritën jeshile projektligjit për shtetësinë e Kosovës.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla digjitalizimi është një nga karakteristikat e këtij projektligji.

“Në kohën e rritjes së lëvizshmërisë qytetare, ligji për shtetësinë e Kosovës afirmon të drejtën në shtetësi të shumëfishtë. Ky projektligj parasheh fitimin e shtetësisë me kritere të lehtësuara në raport me kohëzgjatjen e kërkuar për personat e pajisur me lejeqëndrim të përhershëm për rrethana të jashtëzakonshme, gjë që adreson dhe lehtëson shtetësinë edhe për qytetarët e Luginës së Preshevës”, ka thënë ai.

Miratohet në parim projektligji për letërnjoftimin

Me 62 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për letërnjoftimin.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ky projektligj avancon sistemin për të qenë më transparent, duke e pasur në qendër qytetarin.

“Çdo shtetas i Kosovës nga lindja deri në moshën 18 vjeçare, mund por nuk është i detyruar të jetë i pajisur me letërnjoftim. Kështu ju mundësohet qytetarëve të kësaj moshe të lëvizin vetëm me letërnjoftim në ato vende ku ka marrëveshje Republika e Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Ai ka thënë se procedurat e pajisjes me letërnjoftim lehtësohen, duke e zvogëluar barrën administrative dhe duke minimizuar shpenzimet financiare.

Lala kërkon trajtim me prioritet të vdekjes së 4-vjeçares nga Gjakova

Deputeti i Grupit Multietnik, Fridon Lala, për rastin e vdekjes së dyshimtë të katërvjeçares nga Komuna e Gjakovës, tha se familjarët i kanë thënë që ka pasur neglizhencë institucionale.

“Duke filluar nga ndjeshmëria e këtij rasti bëjë thirrje dhe kërkoj që këtë rast ta trajtojnë me prioritet e ta zbardhin, duke nisur nga shkaqet që quan në humbjen e jetës së kësaj vajze”, ka thënë Lala.

Tutje ai ka thënë se hetuesia, policia dhe inspektorët e shëndetësisë po vazhdojnë hetimet në institucionet shëndetësore.

Projektligji për fertilizim të asistuar shkakton polemika në Kuvend

Ka dështuar të votohet shqyrtimi i projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor. Kësisoj, ky projektligj është shtyrë për një seancë tjetër.

Visar Korenica nga Lëvizja Vetëvendosje bashkë me disa deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, kanë propozuar 20 amandamente për këtë projektligj, duke e kritikuar mënyrën se si është propozuar deri më tani.

“Këtu drejtpërdrejtë cenohet institucioni i familjes dhe i martesës dhe u jepet të drejtë individëve që të krijojnë familje, duke përjashtuar rëndësinë që ka institucioni i familjes”, ka thënë Korenica.

Kryekuvendari Glauk Konjufca ka kritikuar një deputet të partisë së tij, por pa ia përmendur emrin, për mos votim të këtij projektligji.

Ndërkohë ka dështuar edhe votimi i projektligjit për tekste shkollore, për shkak të mos votimit të mazhorancës.

PDK s’i voton marrëveshjet ndërkombëtare, kërkon zgjedhje

Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve, e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës është shtyrë për një datë tjetër për shkak të mungesës së shumicës së përfaqësuesve të kësaj partie në sallë.

Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë në një deklarim për media se refuzojnë t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Ata kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke e ndërlidhur këtë kërkesë me masat e BE-së dhe ndryshimin e qëndrimit të SHBA-së ndaj Kosovës.

“Ju e dini që tash e një periudhe apo më mirë nga qershori i viti të kaluar Grupi Parlamentar i PDK-së nuk e voton as një marrëveshje ndërkombëtare. Nuk e ka votuar asnjë ligj në kuadër të Kuvendit me qëllimin e vetëm që të mos krijojmë kushte që të punohet me tutje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ju e shini që tashmë nuk ka kuptim që të ja bëjmë kuorumin dhe te votojmë marrëveshje ndërkombëtare kur vendi ynë është nën sanksione”, u shpreh Tahiri.