Fjalë Kyçe

Përkundër dyshimeve, Shqipëria nuk e pezullon vaksinën Astra-Zeneca

Përkundër dyshimeve, Shqipëria nuk e pezullon vaksinën Astra-Zeneca

Shqipëria ka nisur vaksinimet e para me dozat e “AstraZeneca”, pas mbërritjes së 38 400 dozave të para nga kompania britaniko-suedeze. Procesi ka nisur në një kohë kur disa vende kanë pezulluar injektimin e kësaj vaksine për shkak se janë regjistruar disa raste të mpiksjes së gjakut.

Zv.ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini në një intervistë për Euronews Albania tha se Shqipëria do të vazhdojë vaksinimin duke u mbështetur tek qëndrimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe vendimi i Komitetit të Imunizimit në Shqipëri.

“Deri në këto momente, duke parë dhe reagimet e OBSH përkundjet vaksinës AstraZeneca, janë parë disa fenomene të mpiksjes së gjakut por janë vërejtur në të njëjtën peshë të popullatës që nuk e kanë marrë vaksinën. Nuk është gjetur ndonjë lidhje domethënëse shkak pasojë me vaksinën”, tha znj. Tomini.

“Komitetit ynë i Imunizimit është mbledhur dhe ka shqyrtuar të gjitha studimet e deritanishme në vendet që kanë bërë një pezullim të vaksinimit me AstraZeneca dhe ka arritur në konkluzionin se fillimi i vaksinimit me AstraZeneca është një fillim efikas”, shtoi zv.ministrja e Shëndetësisë.

Sipas znj. Tomini efektet anësore të vaksinës AsrtaZeneca janë si të gjitha vaksinat e tjera të certifikuara ndërsa theksoi se, “individët duhet të jenë të shëndetshëm, të mos kenë rrufë dhe të mos jenë me temperaturë” ditën e injektimit të dozës.

Zv.ministrja tha se në vendin tonë ka një njësi monitorimi të efekteve anësore të vaksinave kundër COVID-19 dhe deri tani nuk ka pasur asnjë rast të rëndë.

“Edhe në Shqipëri ekziston një sistem i veçantë i monitorimit të të gjitha reaksioneve post vaksinale nga ato minimalet deri tek ato më të rëndat. Secili person që ka aplikuar vaksinën, të gjitha ato, sigurisht që duhet të monitorojnë shenjat në 72 orë që nuk i kanë pasur para se të merrnin vaksinën”, tha ajo.

“Ka pasur efekte anësore në nimelin mimal, vetëm në një rast ka pasur një hemiparezë të pjesës së muskujve të fytyrës por që ka qenë kalimtare. Reaksione të lehta në vendin e injektimit si skuqe, ngurtësimi qoftë dhe një temperaturë subveprible sigurisht që janë prezent në çdo lloj vaksine që aplikohet”, shtoi znj. Tomini

Zyrtarja e Ministrisë së Shëndetësisë bëri të ditur se vaksinimi me AstraZeneca nis për të gjithë mësuesit pa asnjë përjashtim, përveç rasteve që e kanë kaluar virusin dhe kërkojnë një shtyrje të procesit të imunizimit ndaj COVId-19. Vaksinimi tha znj. Tomini do të jetë kapilar në auditorë dhe njësitë e shëndetit vendor, ku përveç mësuesve dhe pedagogët do të vaksinohen dhe personat mbi 80 vjeç. Ndërsa për dozën e dytë do të pritet nga 8 javë deri në 12 javë.