Ish-diplomati austriak, Wolfgang Petrisch, ka folur për zhvillimet politike të pas 6 tetorit në Kosovë.
Petrisch thotë se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme kishte ardhur si rezultat i ngopjes së qytetarëve me elitat e vjetra dhe korrupsion e nepotizmin.
“Mendoj se përzgjedhja e Kurtit është dëshmi se populli i Kosovës është i ngopur me elitat e vjetra dhe korrupsionin e nepotizmin”, ka thënë Petrisch, raporton Gazeta Express.
Ish-diplomati thotë se shpreson që Qeveria e re në Prishtinë të jetë në gjendje të rrëzojë sistemin politik të mbizotëruar nga figura të kohës së luftë dhe që kanë të kaluar të diskutueshme.
“Kurti e bazoi fushatën e tij jo vetëm në politikën e jashtme dhe raportet me Beogradin, por edhe në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, varfërisë, papunësisë dhe krimit të organizuar”, shprehet Petrisch.
Megjithatë njohësi i rrethanave në Ballkan thotë se Kurti duhet të jetë i hapur drejt gjetjes së një kompromisi në raport me dialogun me Serbinë.
“Shpresoj që ai të ketë sukses, por ai gjithashtu duhet të kuptojë që gjetja e një marrëveshje me Beogradin dhe të qënit i hapur për një kompromis të drejtë është po aq e rëndësishme dhe urgjente” , ka potencuar Wolfgang Petrisch.