Fjalë Kyçe

Pezullimi i marrëveshjes për tiketat ngjitëse, kërkohet dorëheqja e Aliut dhe Durmishit

Pezullimi i marrëveshjes për tiketat ngjitëse, kërkohet dorëheqja e Aliut dhe Durmishit

Subjektet politike opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë kërkuar shkarkimin dhe hetimin e zëvendësministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe ministrin e kësaj ministrie, Liburn Aliu, pas pezullimit të vendimit për pagesën prej 5 eurove për tiketat ngjitëse.

Tërheqjen e Qeverisë nga ky vendim e ka njoftuar vetë ministri Aliu, i cili në seancën plenare që po mbahet në Kuvendin e Kosovës ka bërë të ditur se është pezulluar vendimi në fjalë deri sa të shqyrtohet me hollësi se si ka arritur deri te ky vendim.

E ndaj deklaratave të ministrit Aliu ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili ka thënë se vendimi për tiketën ngjitëse duhet të anulohet në tërësi dhe jo vetëm të pezullohet.

“Ne nuk pajtohemi vetëm me pezullimin e kësaj takse, mendoj që kjo taksë duhet të anulohet. Edhe mënyra edhe krejt procesi i nënshkrimit të kësaj takse e kemi ritheksuar edhe në seancat e kaluara që ka qenë i jashtëligjshëm. Prandaj, siç thotë populli një fjalë popullore na ja kemi zënë qeverisë dorën në xhep të qytetarit, po shyqyr Zotit që nuk e kemi lënë me ja marr paret. Pra, ju kemi zënë me dorë në xhep e ju kemi ndalë”, tha ai.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së Armend Zemaj, ka deklaruar se ministri duhet të ketë përgjegjësi publike për këtë aferë korruptive.

“Të thuhet se po do ta pezulloj sot një akt më mirë ta quajmë kështu shkurt dhe shqip akt hajnie tregon që më të vërtetë dikush është thellë i involvuar në këtë aferë korruptive. Unë po shpresoj që ministri u çua nga seanca të shkojë në Prokurori ta hetojë këtë proces dhe t’i vë para drejtësisë së paku administrative ata të cilët kanë tentuar edhe kanë nënshkruar një marrëveshje korruptive, e pastër korruptive, puro hajni edhe që është për marre për institucionet e Kosovës. Kjo nuk mbulohet kështu, akti më korrekt, më real do të ishte sot dorëheqja për të treguar që unë, ne, qeveria nuk qëndrojmë prapa këtij skandali”, tha ai.

Opozita ka kërkuar që të hetohet i gjithë procesi i kësaj marrëveshje, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit Aliu.

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, e ka cilësuar këtë marrëveshje si vjedhje të pastër të shtetit ndaj qytetarëve.

Ndaj pezullimit të këtij vendimi të ministrisë ka reaguar edhe analisti Rron Gjinovci, i cili ka kërkuar dorëheqjen e zëvendësministrit Hysen Durmishi, pasi që ky i fundit deklaroi se pas nënshkrimit të marrëveshjes për tiketat ngjitëse, pas vëmendjes së madhe të opinionit publik, ka gjetur dokumente e raporte që janë kontradiktore me njëra tjetrën.

“Dorëheqje zotni! Ti nuk je aty për sy të zi, por me i lexu me kujdes të gjitha dokumentet. Kështu që dorëheqje!”, ka shkruar Gjinovci në Facebook.

Gjatë ditës së sotme është zhvilluar edhe një aksion simbolik nga aktivistët e PSD-së në Prishtinë, ku fytyra e Hysen Durmishit është vendosur në një kartëmonedhë të 5 eurove.

Marrëveshja e ministrisë në fjalë për tiketat ngjitëse, parashihnin pagesën prej 5 eurove më shumë nga qytetarët kur të regjistrojnë automjetet, ndërsa dyshimet ishin ngritur se po tentohej të krijohej një monopol i ri në vend, pasi që ministria kishte lidhur marrëveshje me një kompani me më pak se dhjetë punëtor dhe se çmimi prej 5 eurove për një tiketë ngjitëse ishte cilësuar shumë i lartë.