Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, pas rikualifikimit të veprës penale nga “vrasja e rëndë në tentativë”, në “lëndim të rëndë trupor”, të akuzuarin Adhurim Krasniqi, e ka dënuar me 3 vjet burgim efektiv, ndërsa për armëmbajtje pa leje një vit burgim.
Ai së bashku me të akuzuarin Fatbardh Abazi, dyshoheshin se me 2 qershor 2018, afër gjimnazit “Sami Frashëri”, në Prishtinë, kishin plagosur të dëmtuarit Nazmi Uka dhe Zenel Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndaj Krasniqit është shqiptuar dënimi unik prej 3 vjet e 6 muaj burgim, si dhe është obliguar t’i paguaj edhe shpenzimet e procedurës në vlerë prej 100 euro, paushall gjyqësor 50 euro, si dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.
Ndërkaq, i akuzuari Fatbardh Abazi është liruar nga akuza në mungesë të provave.
Po ashtu, të akuzuarit Krasniqi i është ndërprerë edhe masa e paraburgimit, si dhe të akuzuarit Abazi masa e paraqitjes në stacion policor.
Aktgjykimi në këtë rast është shpallur pasi që trupi gjykues, i udhëhequr nga Lutfi Shala, e ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga vrasje e rëndë në tentativë në lëndim të rëndë trupor.
Kërkesën për rikualifikimin e veprës penale, e kishte bërë mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Florent Latifaj, në seancën 25 mars të këtij viti, ku ishte dhënë fjala përfundimtare.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 11 dhjetor 2018 kishte përpiluar aktakuzën ndaj të akuzuarve Adhurim Krasniqi për shkak të veprave penale “vrasje e rëndë në tentativë”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, si dhe ndaj të akuzuarit Fatbardh Abazi, për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë në tentativë”.
Sipas aktakuzës, me 12 qershor 2018, përballë gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, dy të akuzuarit në bazë të marrëveshjes paraprake kishin tentuar të privojnë nga jeta të dëmtuarin Zenel Jasharin dhe kishin rrezikuar jetën e të dëmtuarit Nazmi Uka.
Në aktakuzë thuhet se me veturën “Audi A 3”, pronë e të akuzuarit Fatbardh Abazi, të cilën e kishte drejtuar i akuzuari Krasniqi, kishin përcjellë lëvizjet e të dëmtuarit Jashari dhe në momentin kur ai kishte qenë në veturën e tij “Ford” të cilën e kishte drejtuar i dëmtuari Uka, i akuzuari Krasniqi kishte dalë nga vetura dhe më armë në dorë ishte afruar tek pasagjeri dhe pasi dritarja kishte qenë e hapur e kishte futur dorën brenda në veturë dhe kishte dhënë 15 herë në drejtim të të dëmtuari Jashari.