Fjalë Kyçe

Plas skandali me tenderin e reklamave nga koalicioni AAK-PSD

Plas skandali me tenderin e reklamave nga koalicioni AAK-PSD

Njerëzit e afërt me AAK-në po menaxhojnë me disa hapësira të reklamave në Prishtinë. PSD-ja e Shpend Ahmetit dhe AAK janë partner të koalicionit qeverisës në Komunën e Prishtinës që 6 vite.

Në fillim të vitit të kaluar, komuna e Prishtinës ia shkëputi kontratën kompanisë së “AMM”, e cila ishte e afërt më LDK-në dhe për një pjesë të hapësirave reklamuese në vitin e kaluar ka lidhur kontratë me dy kompani të afërta me AAK-në.

Zyra për Marrëdhënie me Media e Komunës së Prishtinës ka bërë të ditur për lajmi.net, se pas shkëputjes së kontratës me kompaninë AMM, Komuna e Prishtinës ka bërë largimin e billbordeve dhe nuk ka nënshkruar kontratë tjetër me ndonjë operator ekonomik.

Komuna thotë se që nga shkëputja e kontratës, shumica e llojeve të reklamave nuk janë dhënë në shfrytëzim, për shkak se Komuna përmes Drejtorisë së Urbanizmit është duke hartuar plan të ri për hapësirat reklamuese, në aspektin e dizajnimit dhe lokacioneve ku do të vendosen.

Sa i përket hapësirave reklamuese, sipas Komunës, partitë politike nuk kanë bërë kërkesa për t’i marrë në shfrytëzim gjatë kohës së fushatës elektorale.

Komuna thotë se hapësirën reklamuese me karakter të përkohshëm me pagesë e kanë dy kompani “Selmans Netëork dhe “N-Larg”.

“Pagesa për shfrytëzimin e hapësirave reklamuese bëhen në bazë të rregullores për Tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale. Në bazë të rregulloreve në fuqi të Komunës së Prishtinës ne kemi lëshuar leje përkohësisht në shtyllat e ndriçimit dhe vendndaljet për autobusë. Kurse kërkesat për shfrytëzimin e  hapësirave publike për aktivitete elektorale, partitë politike i bëjnë  në Drejtorinë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilat shqyrtohen dhe lëshohen për kohën sa mbahet aktiviteti”, thotë  Zyra për Marrëdhënie me Media e Komunës së Prishtinës.

Lajmi.net ka gjetur se pronarët e dy kompanive “Selmans Network “, dhe “N-Larg” janë nga Deçani. Konkretisht, pronarë në kompaninë “Selmans Network” janë dy djemtë e vëllait të ish-deputetit Rasim Selmanajt, Betim e Kujtim Selmanaj, si dhe bashkëshortja e Kujtimit, Mervete Tolaj-Selmanaj. Rasim Selmanaj është kandidatë për deputet të Kuvendit të Kosovë në zgjedhjet që do të mbahen më 6 tetor.

Pronarë i kompanisë tjetër që komuna thotë se ka lidhur kontratë të përkohshme, “N-Larg”, është Kastriot Hulaj, i cili është nga Deçani. I njëjti është edhe menaxher në kompaninë “Selmans Network”, dhe është përkrahës i AAK-së.

Megjithëkëtë, Komuna i është shmangur procedurave ligjore që pronën komunale ta qes në konkurs publik, rrjedhimisht përmes Kuvendit komunal.

Shtyllat në akset rrugore që janë mbushur me kandidatë të PSD-së, disa asete të reklamimit që ndodhen në sheshin “Nenë Tereza”, në Prishtinë, janë të zëna nga partneri i koalicionit të Ahmetit, AAK-ja. Në to është pasqyruar, Ramush Haradinaj.

Madje, pak ditë pasi Qeveria mori vendim për vënien e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe, në pikat kryesore të kryeqytetit u vendosën billborde gjigante ku falënderohej kryeministri Ramush Haradinaj. Pankartat që dukeshin se papritmas filluan zgjedhjet nuk dihet se kush i vendosi. Zyra e Kryeministrit ishte distancuar nga to, duke kërkuar menjëherë që të hiqen, ndërsa institucionet tjera deklarohen se nuk dinë asgjë rreth tyre.

ujtojmë, që me hapësirat reklamuese përreth 17 vjet ka menaxhuar kompania “AAM”, e cila ka pasur kontratë me Komunën e Prishtinës.

Komuna ia kishte shkëputur kontratën kësaj kompanie në mars të vitit 2018, një muaj pa i kaluar validiteti kontratës. Pas shkëputjes së kontratës, Komuna i kishte hequr edhe asetet e vendeve reklamuese që ishin të hapësira të ndryshme dhe madhësi të ndryshme si: Billbord , City light, Shtylla, Megalight. Tash kanë mbetur vetëm disa hapësira të pakta reklamuese kryesisht mbi shtylla të ndriçimit dhe në stacionet e autobusëve të Trafikut urban.

Kompania AMM ishte ekspozuar edhe si financuese e LDK-së.