Fjalë Kyçe

Platforma s’ia kërkon Serbisë njohjen e integritetit territorial të Kosovës

Platforma s’ia kërkon Serbisë njohjen e integritetit territorial të Kosovës

Kosova shprehet jo mjaftueshëm insistuese për njohjen e integritetit territorial nga Serbia, është gjetja e një eksperti të së drejtës ndërkombëtare që e ka analizuar Platformën për dialogun me Serbinë, dokument të cilin e ka miratuar javën e shkuar Delegacioni shtetëror.

Prandaj, është kërkuar që gjatë shqyrtimit në Kuvend, dokumenti të pësojë disa ndryshime.

Mbështetur në këtë analizë që u është përcjellë edhe disa grupeve parlamentare, ndryshimet në Platformë duhet të nisin që nga pika e tretë e saj, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Kosova pret që procesi i dialogut të intensifikohet dhe përshpejtohet në vitin 2019, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme”, thuhet në këtë pikë.

“Objektivi i kësaj marrëveshjeje është zgjidhja e të gjitha çështjeve të hapura, duke u mundësuar të dy shteteve të njohin sovranitetin e njëra-tjetrës dhe hapur rrugë Kosovës drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian”.

Por eksperti i së drejtës ndërkombëtare, që nuk ka pranuar t’i përmendet emri, ka thënë të jetë gabim që në këtë pikë të flitet vetëm për njohjen reciproke të sovranitetit, por jo edhe të integritetit territorial. Kjo meqë nuk bëhet fjalë për koncepte të njëjta.