Një video e publikuar nga mediat e huaja thuhet se tregon një burrë duke i prerë fytin vetes, gjatë një gjykimi të tij për një vrasje në një gjykatë në Nebraska.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Aubrey Trail, 52 vjeç, është akuzuar për mbytjen dhe “shpërbërjen” e një gruaje të re me ndihmën e një shoqeje të tij, Bailey Boswell, e cila do të dalë në gjyq më vonë gjatë vitit.
Gjatë seancës, Trail kërceu në këmbë dhe thirri: ‘Bailey është e pafajshme dhe unë ju mallkoj të gjithëve’, para se të therte veten në qafë me një objekt të panjohur, thanë gazetarët në audiencë.
Ai u transportua pa vetëdije në një barelë nga dhoma e gjykatës, treguan raportet televizive lokale, duke shtuar se gjendja e tij deri më tani është e panjohur.
Gjykatësja Vicky Johnson tha se ajo dhe avokatët nga të dy ekipet e mbrojtjes dhe prokurorisë do të flasin me çdo jurist rreth incidentit.
Ndryshe, ai akuzohej për një rast të ndodhur në dhjetor të vitit 2017, kur trupi i 24-vjeçares Sydney Loofe u gjet i prerë dhe i mbështjellë në thasë të plehrave.