Në Gjermaninë e njohur për prodhimin e veturave dhe dashurinë ndaj tyre, ndryshimet klimatike është bërë një nga çështjet kryesore për votuesit e zgjedhjeve evropiane.
Sipas një ankete të re, 48 për qind e gjermanëve i cilësojnë ndryshimet klimatike si shqetësimin e tyre kryesor.
Në njërën anë janë të rinjtë që po kërkojnë hapa të menjëhershëm për ta zvogëluar sasinë e lirimit të gazrave. Në anën tjetër janë gjenerata e vjetër që është rritur në Gjermaninë e mbështetur në nxjerrjen e thëngjillit dhe prodhimin e veturave.
“Të rinjtë janë më të përfshirë në digjitalizim. Ata pothuajse janë më të lumtur kur e blejnë modelin më të ri të iPhone-it si dhuratë sesa një veturë”, tha Ferdinand Dudenhoeffer, drejtor i Qendrës për Hulumtime të Veturave në Duisburg-Essen.
Gjermania tashmë është zotuar se do ta zvogëlojë sasinë e lirimit të karbonit deri në 40 për qind në krahasim me vitin 1990, 55 për qind deri në vitin 2030 dhe 95 për qind deri në vitin 2050. Sidoqoftë, nuk është e qartë nëse ky shtet do të arrijë ta përmbushë këtë zotim, shkruan “CNN”.
Prodhimi i energjisë është shkaktari kryesor i lirimit të gazrave dhe Gjermania ka premtuar se do t’i ndryshojë burimet e energjisë deri në vitin 2038. Megjithatë, transporti është shkaktari i dytë i ndotjes së ajrit dhe heqja dorë nga veturat dërgon në zemër të debatit politik dhe kulturor të vendit.
Sipas Agjencisë për Tregti dhe Investime, vetëm gjatë vitit 2017 në Gjermani janë prodhuar 5.5 milionë vetura. Në industrinë e veturave janë të punësuar 820 mijë njerëz dhe ky sektor jep 20 për qind të të hyrave të përgjithshme nga prodhimi.