Fjalë Kyçe

Podujeva do t’i shtojë ekipet e vaksinimit kundër COVID-19

Podujeva do t’i shtojë ekipet e vaksinimit kundër COVID-19

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Komunën e Podujevës do ta shtojë numrin e ekipeve që do të merren me vaksinimin kundër COVID-19. Epidemiologia Bedrie Rama i ka thënë KOHËS se deri tash kanë punuar dy ekipe të vaksinimit, ndërsa pritet që të shtohen edhe dy ekipe tjera.

Rama ka theksuar se gjatë fazës së parë të vaksinimit nuk janë shpenzuar 500 vaksinat me të cilat ishte furnizuar QKMF-ja në Podujevë në fillim (një herë me 150 e pastaj me 350 vaksina).

Ajo ka thënë se ditën e premte i kanë pasur edhe 70 vaksina, me të cilat ka vazhduar vaksinimi i personave mbi 65 vjet.

“Sot kanë shkuar në Institut për t’u furnizuar sërish me vaksina dhe ende nuk e di se sa vaksina do t’i sjellin dhe nëse janë Pfizer apo AstraZeneca. Për shkak se ka qenë mosha e kufizuar, neve nuk na janë harxhuar të gjitha vaksinat nga kontingjenti i mëhershëm. Sot i kemi pasur 70 vaksina që kontingjenti i mëhershëm me të cilat ka vazhduar vaksinimi edhe sot dhe ende nuk i kam marrë të dhënat e ditës së sotme dhe nuk e di se sa janë harxhuar nga ky numër”, ka thënë Bedrie Rama.

“Pas mundësisë që edhe personat mbi 65 vjet mund të vaksinohen, kemi mjaft të interesuar që dëshirojnë ta marrin vaksinën. Ne i kemi pasur dy ekipe që janë marrë me vaksinimin dhe kjo është bërë në QKMF, ndërsa do të rrisim numrin e ekipeve në katër por edhe shtimin e hapësirës ku do të bëhet vaksinimi, ku mendojmë që ta bëjmë në sallën e sporteve të Shkollës ‘Xheladin Rekaliu’ në Podujevë”, ka shtuar ajo.

Epidemiologia e QKMF-së në Podujevë thotë se, kjo nuk do ta pengojë fare procesin mësimor, pasi hyrja në këtë sallë të sporteve është e veçantë nga hyrjet e Shkollës.