Fjalë Kyçe

Podujeva e miraton buxhetin për vitin 2022

Podujeva e miraton buxhetin për vitin 2022

Kuvendi Komunal i Podujevës ka arritur të miratojë buxhetin për vitin 2022 dhe parashikimet buxhetore për vitin 2023-2024 në përpjekjen e dytë brenda disa muajve. Ky buxhet është miratuar me 18 vota pro, VV, PDK dhe 1 këshilltare e AAK-së, pas dështimit të parë që kishte ndodhur në shtator të vitit të kaluar. Edhe këtë herë LDK ka votuar kundër dhe 2 këshilltarë të AAK-së.

Fillimisht, drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, e ka bërë prezantimin e projket-buxhetit. Ai ka thënë se ky është prej dokumenteve më të rëndësishme, në të cilin paraqiten objektivat e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore.

“Objektivat dhe synimet e Komunës së Podujevës janë: Përmirësimi i infrastrukturës në qytet dhe fshatra, krijimi i një qyteti të zhvilluar me plan urbanistik, ngritja e nivelit të arsimit, duke krijuar kushte të mira për zhvillimin e arsimit dhe duke e lidhur me ekonominë, zhvillimi i shëndetësise duke krijuar shërbime cilësore për qytetarët, zhvillimi i kulturës e sportit, ruajta dhe përmirësimi i ambientit, zhvillimi i bujqësisë, zhvillimi i turizmit, etj”, është shprehur Fatlum Osmani.

Sipas tij, këto objektiva janë inkuadruar në buxhetin e vitit 2022, i cili është 23 milionë e 449 mijë e 521.00 euro. Drejtori Osmani ka treguar edhe për shpenzimet për secilën fushë.

Por, këshilltarët e LDK-së kanë dhënë shumë kritika për mosspecifikim të projekteve e për mospërfshirje në projekte të disa lokacioneve, etj. Fillimisht, shefi i Grupit të këshlltarëve të LDK-së, Valon Demolli, ka thënë se për shkak se ky projekt-buxhet është hartuar njanshëm, nuk do ta votojnë.

Ndryshe është shprehur këshilltari i VV-së, Bahri Selimi. Sipas tij, projekt-buxheti ka ardhur në Kuvend pasi janë konsultuar me ekspertë e subjekte tjera.

“Ne iu kemi dhënë prioritet atyre pjesëve që janë lënë anash më herët. Arsimit i kemi dhënë prioritet. Është ndarë buxheti katërfish më i madh për rindërtimin e infrastrukturës shkollore. Në arsim është dyfishuar edhe buxheti për bursa nga 50 mijë në 100. Te subvencione në shëndetësi janë dyfishuar mjetet”, ka theksuar Bahri Selimi.

Ai e ka përmendur edhe Zonën industriale, për të cilën ka thënë se është forlur shumë, por vetëm tash do të ndërtohet në bashkëpunim edhe me nivelin qendror. Këshilltari i VV-së i ka përmendur edhe sektorët tjerë, në të cilët sipas tij, do të ketë investime e projekte të shumta.

Ndërsa, shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Bashkim Syla, ka thënë se i kanë pasur disa vërejtje për këtë projekt-buxhet.

“Por i kemi marrë sqarimet nga drejtori për disa investime në disa fshatra që janë lënë pak anash, por drejtori na ka thënë se do të investohet nga të hyrat vetjake të komunës. Po ashtu edhe për çerdhe më shumë, por na është thënë se do të bëhen nga niveli qendror. Prandaj ne e përkrahim sepse edhe ashtu jemi vonë”, është shprehur ai.

Vërejtjet më të mëdha i kanë pasur këshilltarët e LDK-së. Naim Çunaku nga kjo parti ka thënë se sot po e miratojnë një buxhet pas kalimit të të gjitha afateve.

“Kam vërejtje se kjo mbledhje nuk është përgatitur sipas Rregullores së piunës së Kuvendit, Statutit të Komunës dhe Ligjit për vetëqeverisje lokale. Nuk na e keni sjell materialin në kopje fizike dhe ne shumica nuk i kemi ato pajisjet elektronike. Në këtë buxhet ka diskriminim të viseve të ndryshme. Për Zyrën e Kuvendit për këto 3 vite nuk është paraparë, pos pagave dhe mëditjeve, nuk ka mjete tjera. Pra, as për komitetet konsultative”, ka thënë Naim Çunaku. “Është projekt i mirë Zona industriale, shpresoj që këtë herë të mos mbetet në letër sikur më herët. Kemi vërejtje se nuk i keni specifikuar se ku do të ndodhin ato. Projektet me trotuare, më herët kam menduar se kah vijnë pushtetarët shkojnë projektet. E këtë herë nuk na ka dalë mirë kryetar”, ka thënë Çunaku duke iu referuar fshatit Lluga nga i cili vjen ai dhe kryetari Bulliqi.

Vërejtje kanë dhënë edhe këshilltarët tjerë të LDK-së. Ata e kanë quajtur të mangët këtë buxhet, për kontratën kolektive në arsim që sipas tyre nuk figuron në këtë dokument, për heqjen e fondit për dëme në bujqësi, mungesën e mjeteve për rini, e për mosinvestime tjera në lokalitetet prej nga vijnë këshilltarët. Qëndrim Softolli nga kjo parti, duke iu referuar dokumentet që nuk specifikohen rrugët se cilat do të asfaltohen, ka thënë se me këto mjete do të paguhet asfalti që është shtruar natën gjatë fushatës zgjedhore.

Por, drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, ka thënë se dokumenti është i përgatitur në programin Exel dhe aty maksimumi mund të përfshihen 40 karaktare. Sa i përket mjeteve për mallra dhe shërbime për Kuvnedin Komunal, ai ka thënë se të gjitha mallrat dhe shërbimet janë bartur në Drejtorinë e Administratës. Kurse, për fondin për dëmet në bujqësi ka thënë se meqë janë rritur subvencionet, nëse do të ketë dëme, mund të paguhen nga ato mjete.

Për t’iu përgjigjur opozitës, në foltore ka dalë edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Ka thënë se duhet të kenë parasysh që limitet buxhetore.

“Gjithmonë në planifikime mund të ketë ndonjë lëshim dhe gjatë punëve mund të shihen dhe të përmirësohen. Është mirë që ka kërkesa. Nuk po më pëlqen çështja lokaliste, se ju nuk jeni këshilltar të një lokaliteti, por të krejt territorit të komunës. Ju e dini se kemi dhënë shumë vërejtje se buxheti po lokalizohet në një pjesë të caktuar. Vitin tjetër do të jepet prioritet lokaliteteve e tjera”, ka theksuar Shpejtim Bulliqi. “Ne nuk kemi shtruar asfalt natën, trotuare natën, ndriçim natën. Ju e dini kush i ka bërë këto. Dhe nuk duhet të na akuzoni për këtë. Nuk kemi borxhe. Na vjen keq që nuk kemi mundur ta shpenzojmë të gjithë buxhetin, por nuk na kanë mbet nga 2 milionë euro sikur juve. E dimë që.kemi problem me ujësjellës, por problemet që i keni lënë qe 20 vjet nuk mundemi ne për 1 vit me i zgjidh. Edhe e komunës është me ndihmua me shtrirjen e rrjetit, pjesa tjetër është përgjegjësi e kompanisë”.

Ai ka thënë se investimet nuk do të bëhen për dajë e teze.

“Ne do të investojmë për rini, por jo për dajë e për teze sikur ju. Do të investohet në rini, por jo për farefis e ojq fiktive. Çdo gjë do të jetë transparente. Nuk është kohë e largët që buxheti për rini ka qenë 5 mijë euro. Ne e kemi rritur pak, do të isha i kënaqur me i pas 200 mijë euro për këtë. Shikoni sa kompani të forta nuk kanë qenë fare më të hyrat vetanake. Ne kemi filluar i kemi aktivizua. Dhe kështu e rrisim buxhetin. Nuk është mirë që ka mbetur deri tash buxheti, por keni dashtë me ba politikë. Nuk është më i miri, por ka avancim. Hajde të bashkëpunojmë qysh iu kemi thirr edhe më herët”, ka thënë Bulliqi.

Pas debatit të gjatë, buxheti i Podujevës për vitin 2022 është miratuar me 18 votat e VV, PDK-së dhe 1 të AAK-së. Kurse kundër kanë votuar këshilltarët e LDK-së dhe 2 të AAK-së.