Zyrtarët e Komunës së Podujevës kanë nënshkruar një marrëveshje me zyrtarët e Komunës së Kestelit të Turqisë që synon binjakëzimin e këtyre komunave. Kjo marrëveshje është nënshkruar gjatë ditës së enjte nga kryetari Shpejtim Bulliqi i cili po qëndron në Turqi. Në një njoftim të Zyrës për marrëdhënie me publikun të Komunës së Podujevës thuhet se kryetarët e të dy komunave janë zotuar se do të bashkëpunojnë sidomos në fushat e bujqësisë dhe arsimit.
“Në një ceremoni solemne të organizuar në Komunën e Kastelit, sot kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe kryetari i Komunës së Kestelit, Onder Tanir, kanë nënshkruar marrëveshje për inicimin e bashkëpunimit në mes të Komunës së Podujevës dhe Komunës së Kestelit. Me nënshkrimin e këtij inicimi janë vendosur themelet e para të bashkëpunimit në mes të Komunës së Podujevës dhe Komunës së Kestelit”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast, sipas të njëjtit, kryetari Bulliqi ka thënë se këtë inicim së shpejti do ta paraqesë para këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Podujevës.
“Zotimet tona të shprehura sot përmes këtij dokumenti të inicimit të këtij bashkëpunimi shumë shpejt do t’i paraqes në Kuvendin e Komunës së Podujevës me bindje të plotë për sukses që do t’i hap rrugë binjakzimit të dy komunave tona”, ka thënë nëpërmjet këtij njoftimi Shpejtim Bulliqi.
Ai gjithashtu ka thënë se me kryetarin Tanir janë zotuar se do të angazhohen aktivisht që të zbatojnë afrimin e komunave në sektorë të ndryshëm me theks të veçantë në fushën e bujqësisë dhe në fushën e arsimit.
“Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe Konsulli i Nderit në Bursa, Fahretin Guenler, Kordinatori i Qendrës Kulturore të Kosovës, Rexhep Gundur, përfaqësues të shoqatave të ndryshme, këshilltarë të kuvendit komunal në Kestel dhe mysafirë të tjerë”, thuhet tutje në njoftim.