Fjalë Kyçe

Policët kthehen në vendin e punës derisa vazhdojnë hetimet ndaj tyre

Policët kthehen në vendin e punës derisa vazhdojnë hetimet ndaj tyre

Gjashtë zyrtarët policorë që ishin suspenduar në Gjakovë për veprën penale ‘Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’, i janë kthyer punës këtë të enjte.

Lajmin për heqjen e suspendimit të përkohshëm ndaj tyre, e ka dhënë avokati Tomë Gashi, përmes një postimi në Facebook.

Në mesin e të suspenduarve ishte edhe komandanti i Policisë në Gjakovë, Kristë Gjokaj, dhe zyrtarët tjerë policorë Gëzim Biblekaj, Bekim Preqi, Agron Idrizaj, Milot Ukaj e Shaban Limani, suspendimi i të cilëve është hequr me vendim të drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj.

Ky i fundit në një përgjigje për Koha.net ka thënë se heqja e suspendimit të këtyre gjashtë zyrtarëve ka ardhur si rekomandim nga Inspektorat i Policisë.

“Kemi marrë rekomandimin prej IPK-së me u rikthy në punë dhe e kemi respektuar”, ka thënë Qalaj.

Ndërkaq zëdhënësi i Inspektoratit Policor, Arbër Beka, i ka thënë Koha.net se të njëjtëve iu është ndërprerë masa e suspendimit pasi që IPK-ja ka konsideruar se nuk e pengojnë procedurën hetimore.

“Në përputhje me ligjin e IPK-së, pasi që për të njëjtit IPK konsideron se nuk pengojnë tashmë në procedurën hetimore, i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës ndërprerjen e masës së suspendimit për këta gjashtë zyrtarë policorë (një major, një kapiten, një rreshter dhe tre zyrtarë policorë)”, ka thënë ai.

Beka tutje ka shtuar se lidhur me rekomandimin për suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë të stacionit policor të Gjakovës, IPK fillimisht ka pranuar disa informacione nga Avokati i Popullit lidhur me dyshimet për tejkalim të autorizimeve policore respektivisht keqtrajtimin e një të arrestuari nga disa zyrtarë policorë në objektin e Stacionit Policor në Gjakovë.

Sipas tij, hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë veprime hetimore në konsultim me prokurorin kompetent duke siguruar dëshmi (edhe video-incizime përveç tjerash) për keqtrajtimin e një të arrestuari në objektin e stacionit policor nga gjashtë zyrtarë policorë.

“Më 9 shtator 2019 IPK ka dorëzuar kallëzimin penal në prokurorinë kompetente lidhur me këtë rast me dyshimin se zyrtarët policorë kanë kryer veprën penale ‘Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’ disa prej tyre në bashkëkryerje kurse njëri nga ta veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit publik’”, ka thënë ai.