Fjalë Kyçe

Polici e vrau me armë të shtetit të riun në treg pas mosmarrëveshjeve për disa fidanë

Polici e vrau me armë të shtetit të riun në treg pas mosmarrëveshjeve për disa fidanë

Këto janë gjurmët e vetme që kanë mbetur pas të shtënave me armë zjarri në Tregun e Gjelbër të Mitrovicës, ku pas një mosmarrëveshje mbeti i vrarë një i ri i moshës 27 vjeçare.

Sipas Policisë me këtë rast janë plagosur edhe 3 persona tjerë, përfshirë këtu edhe të dyshuarin që shtiu me armë zjarri. Isak Brahimi që ishte dëshmitarë tregoi për rastin.

“Gabimin ma të madh e ka bo policia në atë moment kur kufomën e kan tërheqë prej vendit të ngjarjes edhe te ky rrethi këtu përballë neve e kanë qu gjoja me i jep ndihmën e parë, në atë moment ka ardh edhe ndihma e parë e kanë blloku rrugën policia e prej kerrit të policisë e kan qit masanej në kerr të ambullancës,” tha Isak Brahimi, në një prononcim për ATV.

Ai tregoi edhe arsyen që çoi në vrasjen e 27 vjeçarit. “Rasti ka ndodh si një mosmarrëveshje për do fidane për kurgjo hiç qysh thot populli barrën e merr polici se nuk vrahet njeri për kurgjo hiç(…) Ka ndodh veç pse është kapadai me armë të shtetit, i dini shumë raste që kanë ndodh nëpër kazino kush po e vret polici, kush kontrabant polici,” – shtoi ai.

Ndërkaq specialisti i emergjencës, Fetah Spahija thotë se gjendja e të plagosurve është stabile.

“Një i ri 27 vjeçar ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra, në qendrën emergjente ka ardhur pa shenja jete me gjithë punën e stafit mjekësorë nuk arriti ti mbijetoj plagëve, gjendja e pacientëve të tjerë është stabile, njëri në repartin e urologjisë tjetri në ortopedi ndërsa personi që dyshohet se ka shtëne me armë zjarri ka pasur një plagë në kokë,” – tha specialisti i emergjencës, Fetah Spahija për ATV.

Sipas policisë nga hetimet e zhvilluara deri më tani njëri nga të lënduarit ka marrë plagë aksidentalisht.

Ndaj të dyshuarit Sh.A 35 vjeçar me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor si dhe rrjedha hetimore është duke vazhduar.