Një grabitje e rëndë mbrëmë ka ndodhur në fshatin Stankovc të Drenasit rreth orës 23:00 pak para mesnatës në një pompë derivatesh. Policia e Kosovës, pas një hetimi dhe masave të marra ka arritur që të arrestoj dy persona të cilët janë përfshirë në grabitje, njofton Policia e Kosovës, transmeton Gazeta Alo.
Grabitja mbrëmë në pompën e derivateve ka ndodhur nga dy grabitës meshkuj, shtetas të Kosovës me inicialet A.N. dhe Sh.K. nën kërcënimin e armëve.
Gjatë bastisjes dhe arrestimit, Policia ka gjetur dhe konfiskuar edhe një pushkë të gjatë automatike, një revole, një çantë, disa rroba maskimi si kapuç dhe dorëza, gjëra që dyshohen që janë përdorur nga të lartcekurit për grabitje
Personat e arrestuar janë dërguar në qendrën rajonale të mbajtjes në Prishtinë, për përfundimin e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore e procedurale para se rasti t’i kalojnë gjykatës. Të njëjtit dyshohet të jenë të përfshirë edhe në raste të tjera të natyrës së njëjtë./Gazeta Alo