Fjalë Kyçe

Policia ende s’e ka kapur të dyshuarin e tretë për tentim grabitjen në Prizren

Policia ende s’e ka kapur të dyshuarin e tretë për tentim grabitjen në Prizren

Policia e Kosovës ende nuk e ka kapur të dyshuarin e tretë për tentim grabitjen që ndodhi më 15 nëntor në një argjendari në Prizren, që rezultoi me plagosjen e dy pronarëve të saj, babë e bir.

Deri tani, katër persona, dy prej tyre të përfshirë në grabitje, Leotrim Latifi, Ibrahim Qadraku dhe dy të tjerë për ndihmë në këtë rast, Ruzhdi Fejzullahu dhe Adnan Arifovic, janë arrestuar nga Policia e Kosovës.

Mirëpo, i dyshuari i tretë që ishte bashkë me Latifin dhe Qadrakun kur tentuan të kryen grabitjen, nuk është kapur akoma dhe i njëjti ndodhet në arrati.

Latifi dhe Qadraku me ndihmën e Arifovic, dyshohet që tentuan të grabisnin argjendarinë në Prizren, ku lanë të plagosur dy pronarët e saj, babë e bir. I arrestuari tjetër Ruzhdi Fejzullahu që dyshohet për ndihmë në grabitje, sipas burimeve të Sinjalit ua ka shitur veturën me të cilën ata shkuan deri të argjendaria ku ndodhi ngjarja dramatike.

Leotrim Latifi, Ibrahim Qadraku tashmë ndodhen në paraburgim si të dyshuar se kanë kryer këto vepra penale:

grabitja në tentativë,

shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm,

mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve ,

grabitja,

sulmi ndaj personit zyrtar,

shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe

asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Kurse  Ruzhdi Fejzullahut i është caktuar masa e paraburgimit nën dyshimin se ka kryer veprën penale ndihma në grabitje.

Tre të dyshuarit që terrorizuan Prizrenin, në momentet e tentim grabitjes ikën me një veturë të zezë, e cila më pas u gjet e djegur. Për të mos mbaruar me kaq, të njëjtit grabitën një veturë të tipit Polo, të cilën po ashtu e dogjën, të hënën në mbrëmje.

Pasi tentuan t’i “zhdukin” gjurmët duke djegur veturën e parë, të dyshuarit grabitën një veturë tjetër, të cilën po ashtu e dogjën, por që fillimisht me të shkuan deri te pompa e derivateve “OK” në fshatin Korishë, ku u furnizuan me karburant. Më pas, ajo veturë u gjet e djegur në Mugë të Skenderajt.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.