Fjalë Kyçe

Policia jep detaje për plagosjen e mbrëmshme në Veternik

Policia jep detaje për plagosjen e mbrëmshme në Veternik

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për tentativë vrasjen që ndodhi mbrëmë në Veternik, e ku i plagosur mbeti këshilltari i Fatmir Limajt, Luan Maloku.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka plagosur me armë zjarri viktimën mashkull K/Shqiptar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes është gjetur një predhë”, thuhet në raport.

Sipas PK-së, viktima është duke marrë tretman mjekësor në QKUK dhe sipas stafit mjekësor gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetë.

“Me autorizim të gjyqtarit të procedurës paraprake është kryer kontrolli-bastisja e shtëpisë së të dyshuarit, ku është gjetur arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra, një karikator, një gëzhojë e kalibrit 7.65 mm e bllokuar në tytën e armës, 15 (pesëmbëdhjetë) copë fishekë të kalibrit 7.65 mm, të cilat janë konfiskuar”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit dhe i njëjti dërgohet në qendrën e mbajtjes.