Fjalë Kyçe

Policia jep detaje për vrasjen e gruas në Prizren, i dyshuar burri i saj 61 vjeç

Policia jep detaje për vrasjen e gruas në Prizren, i dyshuar burri i saj 61 vjeç

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmë qytetin e Prizrenit. 61-vjeçari B.V. ka vrarë gruan e tij. E gjithë ngjarja ka ndodhur pas orës 23:00 në rrugën “Hysni Morina” të Prizrenit. Viktima ka vdekur në vendin e ngjarjes. I dyshuari është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe gjendet në ndalim prej 48 orëve, raporton Express.

Ndërkaq, disa orë pas kësaj ngjarjeje tragjike, Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth këtij rasti. Sipas policisë, me datë 06 gusht 2019, pas orës 23:00 në rrugën “Hysni Morina” në Prizren, fillimisht qendra e thirrjeve në Policinë e Kosovës ka pranuar një informacion dhe është raportuar për një plagosje.

“Pas intervenimit nga policia dhe emergjenca e Prizrenit të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes është konstatuar për lëndimin e një viktime femër, për të cilën mjeku ka konstatuar vdekjen si pasojë e lëndimit nga arma e zjarrit”, kanë deklaruar për Express, zyrtarë nga Policia e Kosovës.

Ekipet policore të hetimeve dhe Krim-teknika në vendin e ngjarjes kanë gjetur viktimën, si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm.

Me vendim të prokurorit është bastisur shtëpia e personit të dyshuar dhe policia ka arritur të gjejë armën e tipit revole ZIG M1, të kalibrit 9 mm si dhe 42 fishekë të kësaj armë. Dyshohet se me të njëjtën armë i dyshimti ka kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë”. I dyshimti dhe viktima kanë qenë bashkëshortë.

Në këtë rast është ndaluar në afat prej 48 orësh personi i dyshimtë B.V. i lindur në vitin 1958.

Me vendim të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në IML për procedura të mëtutjeshme hetimore.

Me rastin po merren njësitë e hetimeve rajonale në Prizren.