Fjalë Kyçe

Policia jep të gjitha detajet se çka ndodhi në Istog ku mbetën të vrarë një polic dhe hajni

Policia jep të gjitha detajet se çka ndodhi në Istog ku mbetën të vrarë një polic dhe hajni

Sot me 27.12.2018 rreth orës 15:35, në filialin e bankës së NLB-së në Istog, ka ndodhur një rast tentim grabitje e armatosur.

Njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore për t’iu përgjigjur vendit të ngjarjes, ku me të arritur në atë lokacion kanë hasur në personin e dyshuar i cili posedonte një armë zjarri të gjatë, si dhe dyshohej që kishte marrë pengë dy persona.

Personi i dyshuar në përpjekje për tu larguar nga vendi i ngjarjes ka shtënë me armë zjarri drejt zyrtarëve policor, të cilët në vetë mbrojtje të tyre dhe të qytetarëve janë detyruar ti përgjigjen me armë zjarri, duke e neutralizuar dhe duke e lënë të plagosur personin e dyshuar.

Gjatë intervenimit policor, si pasojë e shkëmbimit të armëve të zjarrit një zyrtar policor është plagosur rëndë, dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në spitalin rajonal të Pejës.

Të gjitha njësitet policore nga niveli lokal, rajonal dhe ai qendror, kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, fillimisht duke bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, sigurimin e personelit dhe qytetarëve, me qëllim të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, si dhe hetimit rreth përfshirjes së mundshme edhe të ndonjë personi tjetër të dyshuar .

Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, në afërsi është gjetur një granatë dore, një armë zjarri revole dhe një armë AK-47 me municion, të cilat i ka poseduar i dyshuari.

Disa orë më vonë nga mjekët kompetent është konfirmuar vdekja e zyrtarit policor (I. D.) i cili ka shërbyer në stacionin policor Istog, si dhe vdekja e personit të dyshuar (K. M.) viti i lindjes 1968 nga fshati Shushicë e Ulët – Istog.

Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se personi i dyshuar posedon të kaluar kriminale të kryer në disa vende të Evropës.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ruajtjes së jetës dhe pronës si dhe parandalimin dhe arrestimin e kryerësve të veprave penale.