Fjalë Kyçe

Policia kontrollon disa lokale në Klinë, identifikohen disa punëtore nate

Policia kontrollon disa lokale në Klinë, identifikohen disa punëtore nate

Me datën 15 gusht 2019, duke filluar nga ora 24:00, në zonën e Klinës, Policia ka zbatuar planin operativ të koduar ‘Kontrollimi i lokaleve 2019’.

Stacioni policor në Klinë së bashku me inspektorët komunalë kanë verifikuar disa lokale në komunën e Klinës dhe gjatë inspektimit janë kontrolluar të gjitha klubet e natës, disko-baret si dhe lokalet e tjera në këtë qytet. Gjatë këtij plani janë identifikuar 5 lokale apo klube nate të cilat  ishin duke mos e respektuar orarin e punës, të njëjtat janë mbyllur nga inspektorët komunalë.

Në këto lokale janë legjitimuar 13 persona,  që dyshohet që kanë qenë punëtor/e në këto lokale dhe në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit rasti procedohet nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Gjatë realizimit të këtij plani Njësia për Reagim të Shpejtë DRP në Pejë, ka hasur në disa vetura të dyshimta, dhe gjatë kontrollit rutinor në njërën nga veturat është gjetur dhe konfiskuar një armë (pistoletë) e llojit ‘M 57’ kal. 7.62x25mm, dhe 5 copë fishekë të të njëjtit kalibër.

E dyshuara: V.K e lindur 1993  f/k/sh, pas intervistimit në konsultim të plotë me prokurorin e shtetit është liruar në procedurë të rregullt.

Në këtë plan kanë qenë të përfshirë Stacioni Policor në Klinë dhe inspektorët komunalë të komunës së Klinës, të përkrahur nga Njësia për Reagim të Shpejtë të  DRP-së  në Pejë dhe Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore.