Fjalë Kyçe

Policia nga nesër fillon zbatimin e vendimeve për masat e reja anti-COVID

Policia nga nesër fillon zbatimin e vendimeve për masat e reja anti-COVID

Pas rritjes së rasteve të të prekurve me COVID-19 dhe pas masave të reja të ndërmarra nga institucionet e vendit edhe Policia e Kosovës do të jetë aktive që nga nesër në realizim dhe implementim të këtyre masave.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do ta përditësojë Planin Operativ, do t’ia përshtatë masave të ndërmarra dhe bazuar në ato vendime, bazuar në Ligjin anti-COVID, që nga nesër do të zbatojë detyrat edhe obligimet që ka karshi vendimeve dhe masave të ndërmarra në drejtim të luftimit të përhapjes së pandemisë, përcjell Telegrafi.

“Policia e Kosovës edhe në këtë rast bënë apel, kërkon nga qytetarët, nga institucionet, nga bizneset që të respektojnë vendimet e fundit të marra nga qeveria e vendit”, thuhet në njoftim.

Më tej, Policia thotë se “si edhe në të kaluarën, duke u bazuar në ligjin në fjalë, policia do të ndërmerr edhe masa ndëshkuese ndaj shkelësve të ligjit”.

“Andaj, kërkojmë që bartja e maskës të bëhet në ato raste siç parashihen me vendimet e fundit në mënyrë që edhe një herë të arrijmë t’i ulim shifrat e të prekurve dhe të mbrojmë të gjithë së bashku shëndetin publik”, njofton Policia.

Qeveria e Kosovës të enjten ka aprovuar masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, pas situatës së krijuar me rritjen e numrit të të infektuarve me këtë virus në vendin tonë.

Në mesin e masave është përfshirë edhe dëshmia për vaksinim kundër këtij virusi për të hyrë në klube të natës, diskoteka, dasma dhe ahengje tjera familjare me mbi 100 persona, nga data 20 gusht deri më 10 shtator.

Në mungesë të dëshmisë për vaksinim, duhet të prezantohet testi negativ në coronavirus, jo më i vjetër se 72 orë, testi antigjen jo më i vjetër se 48 orë, ose dëshmia për tejkalim të coronavirusit brenda 180 ditëve.