Herët në mëngjesin e sotëm, policia serbe i shkoi në banesë një politikaneje, kundërshtuese të vaksinës anti-Covid, Jovana Stojkoviq , me një urdhër kontrolli, transmeton Gazeta Express.
Kryetarja e lëvizjes Living for Serbia e transmetoi ardhjen e policisë dhe diskutimin me ta drejtpërdrejt në profilin e lëvizjes së saj në Facebook.
Siç është dëgjuar në bisedën midis Stojkoviqit dhe autorit të incizimit, inspektorët me distinktivë policie në qafë erdhën me urdhër për ta kontrolluar banesën. Urdhri u lëshua sepse Stojkoviq dyshohet se ka shkaktuar frikë dhe panik në publik me deklaratat e saj.
Anti-vaksinesja e njohur, përndryshe edhe psikiatre, protestoi dhe debatoi me zyrtarët e Ministrisë së Brendshme që erdhën në banesën e saj.
“Duket sikur të jemi kriminelë. Çfarë pret të gjesh këtu, armë dhe drogë dikujt që dyshon se shkakton frikë dhe panik? Çfarë pret të gjesh në apartamentin e dikujt që shkakton frikë dhe panik?”, u tha Stojkoviq policëve.
Policët ia shpjegonin asaj urdhrin e kontrollit, ndërsa Stojkoviq e thirri një avokat.
“A do të më qëllonit nëse do të kishit urdhër? Sigurisht që po”, tha Stojkoviq.
Ende s’ka konfirmim zyrtar nga Ministria e Brendshme serbe në lidhje me kontrollin e banesës së Jovana Stojkoviqit.