Fjalë Kyçe

Policia tregon cilat rrugë do t’i mbyllë gjatë festivalit “Sunny Hill”

Policia tregon cilat rrugë do t’i mbyllë gjatë festivalit “Sunny Hill”

Një ditë para nisjes së festivalit “Sunny Hill”, që do të mbahet nga 2 e deri më 4 gusht në parkun e Gërmisë, Policia ka treguar masat që ka ndërmarrë për të shmangur bllokimet e mundshme e kolonat në kryeqytet.

Në një njoftim për media, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, ka thënë se policia, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do të formojë pikat e kontrollit në të gjitha rrugët që lidhen me rrugën kryesore që lidh qytetin me Gërminë me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të veturave dhe për të vendosur rregullin nëpër rrugë.

Policia ka thënë se do të ndalojë dhe do të ridrejtojë të gjitha veturat, përveç atyre të banorëve të lagjeve që lidhen me parkun e Gërmisë (Sofali, Taukbahçe), autobusëve të Trafikut Urban, automjeteve të Emergjencës, të Hortikulturës, KRM “Pastrimi”, Drejtorisë së Inspeksionit të Prishtinë, si dhe veturave të PK-së, të cilat janë të angazhuara në këtë operacion.

Ndalja dhe ri drejtimi i të gjitha veturave do të bëhet në:

Kryqëzimin e rrugëve “1 Tetori”, “Nazim Gafurri” dhe “Ymer Lutfi Paçarizi”; (Kryqëzimi Velani)

Kryqëzimin e rrugëve “Nazim Gafurri”, “ Xhavit Ahmeti” dhe “ Dr. Lec Gradica”; (Kryqëzimi te ish rruga Bledi)

Kryqëzimin e rrugëve “Dr. Shpëtim Robaj” me atë të Sofalisë në drejtim të Pishinës dhe parkut “Gërmia”.

Operacioni do të nis implementimin nga e premtja në orën 10:00, ka njoftuar Policia, që ka kërkuar “ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve”.

Në fund policia ka lutur qytetarët e kryeqytetit të shmangin lëvizjet e tyre drejt parkut të Gërmisë me vetura.