Fjalë Kyçe

Posta në vështirësi financiare: Qeveria e Telekomi t’i shlyejnë borxhet

Posta në vështirësi financiare: Qeveria e Telekomi t’i shlyejnë borxhet

Posta e Kosovës është në gjendje jo të mirë financiare, e si pasojë e kësaj kanë mbetur edhe një pjesë e punëtorëve ende pa paga. Në këtë ndërmarrje thonë se situatë më e mirë do të ishte nëse Telekomi dhe Qeveria e Kosovës do të paguanin obligimet që kanë ndaj saj.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, ka thënë për KosovaPress, se nëse do të respektohej marrëveshja për shërbime postare me Qeverinë e Kosovës që ka akumuluar rreth 7 milionë euro borxhe dhe nëse Telekomi do të shlyente detyrimet rreth 2 milionë euro që janë nga qiratë atëherë të paktën pagat do të ekzekutoheshin në kohë.

“Posta e Kosovës aktualisht e ka një gjendje jo të mirë të bilancit financiar, respektivisht arkëtimit të borxhit të cilat i kanë Telekomi ndaj Postës së Kosovës, po edhe Qeveria e Kosovës me vite, e cila nuk e ka përmbushur obligimin ligjor për shlyerjen e borxheve të shërbimit postar, i cili është afër 7 milionë euro, i cili është vërtetuar nga përmbaruesi privat nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ne kemi pritur që të na ekzekutohet së paku 4.7 milionë euro borxh, të cilat kemi qenë në negociata të ekspertëve dhe nga vet iniciativa e ish-ministrit Blerim Kuçi. Po ashtu, Telekomi ka rreth 2 milionë euro borxh për qiratë ndaj Postës së Kosovës, i cili nëse ekzekutohet me kohë, pagat për punëtorët e Postës nuk do të jetë problem madje do të mund t’i ekzekutonim edhe me datën 1 siç i kemi ekzekutuar para kësaj krize”, ka thënë Smakiqi.

Smakiqi ka thënë se pa paga në Postën e Kosovës kanë mbetur afër 1.000 punëtorë dhe nëse Telekomi i Kosovës do të ekzekutojë një pjesë të borxhit, atëherë pagat e këtyre punëtorëve do të dalin deri në fund të javës.

“Ne e kemi themeluar një komision për hartimin e borxheve që kanë institucionet dhe komunat, por edhe operatorët dhe klientët ndaj Postës së Kosovës, por kjo është e paarritshme për shkak se buxheti i Republikës së Kosovës nuk është aktivizuar sipas informatave që kam nga ekspertët e Postës së Kosovës, dhe komunikimet që i kanë me gjykatat, me Këshillin Gjyqësor, me ministritë, gjithashtu mbesim me shpresë se Telekomi të na ekzekutojë një pjesë të borxhit që na e ka për dy muaj, por edhe borxhit të prapambetur dhe t’i ekzekutojmë pagat, besoj deri në fund të javës. […] Ne jemi rreth 960 punëtor aktualisht dhe gjysma e tyre nuk i kanë marrë pagat”, thotë Smakiqi.

Smakiqi në një prononcim për KosovaPress deklaroi se gjatë vitit 2020 ishte finalizuar një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, ku është kërkuar kthimi i borxhit për afër 5 milionë euro, por që para pak javëve është konfirmuar nga ata që nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë marrëveshje.

Ndërsa për këtë, ai thotë se kanë dorëzuar lëndën në gjykatë dhe tek përmbaruesi, ku nga kjo do të dëmtohet edhe më shumë buxheti i Kosovës, pasi që do të detyrohen të paguajnë edhe kamata shtesë.

“Gjatë vitit 2020, me qeverinë aktuale kemi diskutuar vazhdimisht dhe kemi finalizuar marrëveshjen, e cila ka nënkuptuar që na të kërkojmë vetëm borxhin kryesor 4 milionë e 700 e diçka mijë euro, mirëpo para pak javëve ne kemi marrë një konfirmim që qeveria dhe ministria nuk janë të gatshme ta bëjnë këtë marrëveshje dhe ne si Postë e Kosovës jemi detyruar ta riaktivizojmë përsëri lëndën në gjykatë dhe tek përmbaruesi, me të cilën do të dëmtohet buxheti i Kosovës, sepse pastaj aksionari do të detyrohet t’i paguajë edhe kamatat ligjore që janë shumë të larta”, ka thënë u shpreh ai.

Smakiqi si zgjidhje të vetme për përmirësimin e kësaj gjendjeje ka thënë se është që Qeveria e Kosovës të mbështesë Telekomin sa i përket borxhit që ka ndaj kompanisë Dardafone, dhe ajo mbështetje e Telekomit do të ndikonte që edhe Telekomi t’i shlyente obligimet ndaj Postës së Kosovës.

Ndërsa kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Zeqir Kiqina, në një prononcim për KosovaPress, ka thënë ndërmarrja që udhëheq do të arrinte t’i paguante borxhin ndaj Postës nëse nuk do ta kishin barrë edhe këstin e borxhit ndaj Z Mobile.

Ai ka thënë se Telekomi i Kosovës ka plotësuar kërkesat e Qeverisë së Kosovës për uljen e shpenzimeve minimale, uljen e pagave dhe ristrukturimin e kompanisë, dhe pavarësisht kësaj, ai thotë se Qeveria nuk e ka mbajtur fjalën për dhënien e kredisë për këtë kompani.

“Telekomi i Kosovës paguan qira ndaj Postës së Kosovës rreth 500 mijë euro në muaj. E kemi barrë të rëndë Postën, ku 70 për qind të pagave të Postës i paguan Telekomi. Në gjendjen të cilën jemi, është mjaftë e rëndë, i kemi ulur pagat deri në gradën gjashtë, edhe për Telekomin edhe për Postën, por na u ka dashtë të mos vazhdojmë me paga, për shkak që kemi pasur këstin e Z Mobile (Dardafon), ky hymë me një marrëveshje me garancinë të Qeverisë, dhe Qeveria nuk na ka dhënë asnjë mbështetje deri më tani, e as kredinë dhe për ata nuk kemi rrezikuar të paguajmë paga dhe të mos kemi mundësi të paguajmë këstin e Z Mobile sepse mos pagesa e këstit reflekton me bllokim të xhirollogarive, të cilën pastaj po e kemi shumë problem”, ka thënë Kiqina.

Ndërsa thotë se muaji shkurt do të jetë i papërballueshëm për Telekomin e Kosovës, pasi që, ose do t’i duhet t’i paguajnë këstin ndaj Z Mobile, ose pagat e punëtorëve të saj.

KosovaPress ka provuar të marrë një përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës rreth shlyerjes së detyrimeve ndaj Postës së Kosovës ose ndonjë plani për të ndihmuar këto ndërmarrje publike, mirë nuk ka qenë e mundur.