Fjalë Kyçe

Protestohet kundër vizitës së serbëve në Gjakovë

Protestohet kundër vizitës së serbëve në Gjakovë

Ashtu siç është paralajmëruar, në Gjakovë ka filluar protesta kundër vizitës së disa serbëve për të bërë pelegrinazh në këtë qytetet. Dhjetëra qytetarë po protestojnë kundër kësaj vizite, duke theksuar se nuk duan t’i shohin në qytetin ku forcat serbe vranë shumë qytetarë në luftë.

Vlen të ceket se shumë nga protestuesit po kërkojnë ende familjarët e tyre të pagjetur. Kanë paralajmëruar se çdo vit do të dalin në protestë për të parandaluar ardhjen e tyre në Gjakovë.

“Sërish erdh janari, sërish presim të vjen një grup serbësh në qytetin e Gjakovës me datën 6. Ne, qytetarët e Gjakovës, nuk kemi problem me besimin e tyre e as me të drejtën e tyre për të bërë pelegrinazh, siç interpretohet nga ta. Problemin që kemi ne është se në mesin e tyre ka persona të cilëve ne ua njohim të bëmat gjatë luftës. Ata kanë emër e mbiemër. Por, jemi dëshmitarë se të njëjtit nuk janë hetuar, gjykuar, e dënuar, për këto të bëma. Në këto rrethana kur heshtja institucionale ka shtuar krip në plagët tona, vizita e tyre në qytetin që e lanë me gjak dhe e bënë shkrumb e hi është provokim. Nuk mbetet rrugë tjetër përpos protestës qytetare. Prandaj, ne, qytetarët e Gjakovës, u bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të na bashkohen ditën e diel, me datën 6 janar, tek rruga “Mbretëresha Teutë,” nga ora 8:00 në mëngjes. Edhe këtë vit do të protestojmë paqësisht. Dalja jonë dëshmon se Gjakova nuk ka harruar. Dalja jonë dëshmon se Gjakova kërkon drejtësi për të gjitha krimet e kryera nga regjimi serbë kudo në Kosovë.

Gjakova NUK harron! Gjakova kërkon drejtësi”, thuhet në njoftimin e protestës.