Fjalë Kyçe

Presidenca çeke e BE-së sjell në agjendë liberalizimin e vizave, kryediplomati i Çekisë vjen këtë javë në Kosovë

Presidenca çeke e BE-së sjell në agjendë liberalizimin e vizave, kryediplomati i Çekisë vjen këtë javë në Kosovë

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor.

Kësisoj, Presidenca çeke e BE-së do të rihapë diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën gjatë muajit të ardhshëm.

Këtë e ka konfirmuar Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavský, i cili po ashtu ka bërë të ditur se këtë javë do të vijë për vizitë në Kosovë, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

“Kosova, të cilën do ta vizitoj këtë javë, është vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilës ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar në BE. Megjithatë, qëllimi i Republikës Çeke dhe BE-së është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Presidenca jonë është një mundësi për të shtyrë të gjithë procesin e integrimit përpara”, tha Lipavský, citon Euroactive Agjencinë Çeke të Lajmeve.

Pritet që tema e liberalizimit të vizave për Kosovën të jetë në tryezë në vjeshtë sapo Komisioni Evropian të finalizojë versionin e përditësuar të raportit vjetor.

“Prandaj, Presidenca Çeke po mbështet në faktin se nëse i ashtuquajturi përditësim teknik i raportit për gatishmërinë e Kosovës për liberalizimin e vizave, të cilin Komisioni Evropian aktualisht është duke e finalizuar, është i suksesshëm, kjo çështje do të merret sërish nga shtetet anëtare gjatë vjeshtës”, tha ministri çek.

Gjatë ditës së djeshme në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, nga Komisioni Evropian kanë thënë se “u takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ta çojnë përpara çështjen e liberalizimit të vizave”, dhe se KE i inkurajon ato që të vazhdojnë tutje me këtë proces.

Nga KE kanë bërë të ditur për Reporteri.net se edhe këtë vit do të prezantojnë raportin të shoqëruar me një përditësim teknik për çështjen e liberalizimit të vizave, dhe se aktualisht po punohet në këtë përditësim, i cili sipas KE-së është vetëm “një dokument teknik që paraqet gjendjen e përditësuar që lidhet me standardet e liberalizimit të vizave për ta mbështetur në Këshill”.

Nga KE kanë konfirmuar se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave dhe se nuk ka ndonjë kusht të ri për të ecur përpara me këtë proces.