Fjalë Kyçe

Presidenti Ademi priti gjeneralin Sylejman Selimi

Presidenti Ademi priti gjeneralin Sylejman Selimi

Presidenti Agim Ademi ka pritur sot ish-Komandantin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më pas edhe të TMK-së e FSK-së, gjeneralin Sylejman Selimi, e ku të pranishëm ishin edhe nënkryetari Bakir Burri, anëtari i KE-së, Luan Vokshi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe ndihmëstrajneri i Kombëtares, Muharrem Sahiti, shkruan GazetaAlo.

Me këtë rast presidenti Ademi shprehu respektin e tij dhe të KE të FFK-së për vlerat dhe kontributin e gjeneralit në luftën çlirimtare, por edhe për kontributin e tij në kohën kur ishte futbollist, duke i dhuruar një plaketë me stadiumin “Fadil Vokrri” si dhe fanellën e Kombëtares.

Ndërkaq, gjenerali Sylejman Selimi u shprehu mirënjohjen krerëve të FFK-së për mikpritjen dhe njëherësh shprehu ngushëllimet e tij për ish-presidentin Fadil Vokrri, derisa u shpreh i lumtur për sukseset që po arrin Kombëtarja e Kosovës në garat ndërkombëtare, si dhe vlerësoi lartë vazhdimin e punës së suksesshme nga krerët e FFK-së.

Me këtë rast, gjenerali Selimi theksoi se vetë rezultatet që po i arrin Kombëtarja, por edhe gara korrekte në kampionat dëshmojnë se puna në FFK po ecën mjaft mirë. /GazetaAlo