Presidenti Agim Ademi, sot, ka qëndruar për vizitë në Lidhjen Rajonale të Futbollit të Gjakovës, ku është pritur nga Luan Vokshi dhe strukturat tjera të LRFGJ-së, shkruan GazetaAlo.
Me këtë rast, presidenti Ademi ka parë nga afër edhe punimet në fushën me bari sintetik që janë në përfundim e sipër, investim ky i përbashkët i FFK-së me Ministrinë e Sportit.
Gjatë qëndrimit në Gjakovë, Ademi ka vizituar edhe KF “Vëllaznimi”, ku e ka përgëzuar presidentin e këtij klubi, Agim Cana, për ambientet e reja dhe moderne të klubit gjakovar. Gjatë këtij takimi u diskutuan edhe projektet e ndryshme në përmirësimin e infrastrukturës së klubit gjakovar, si dhe për zhvillimet e futbollin tonë në përgjithësi.
Ndërkohë, vizitën në Gjakovë, presidenti Ademi e ka përmbyllur me takimin që e ka mbajtur me përfaqësuesit e Ligës së Veteranëve, të cilëve u dha përkrahje të fuqishme për fillimin sa më të shpejtë të garave nën ombrellën e FFK-së./GazetaAlo