Fjalë Kyçe

Presidenti dhe kryeministri përshkallëzojnë përplasjen

Përplasjet në distancë mes presidentit Hashim Thaçi e kryeministrit Ramush Haradinaj kanë njohur të premten intensitetin më të fortë. Ata kanë akuzuar njëri-tjetrin për përpjekje në dëm të shtetit.

Thaçi ka folur i pari nga Tirana. Në samitin e dytë të diasporës, që është organizuar në kryeqytetin e Shqipërisë, presidenti i Kosovës ka dhënë qëndrimin e tij edhe për dialogun me Serbinë. Aty ka atakuar idenë e kryeministrit Haradinaj për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën.

“Sot natyrisht se ka ide të ndryshme. Por, ajo që dua të them është kjo: nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë, dhe ju ftoj për vëmendje, organizimin e ndonjë konference ndërkombëtare ku participon edhe Rusia. Nuk do të lejoj të qarkullojë edhe më tutje si ide”, ka thënë Thaçi, i përcjellë me duartrokitjet e pjesëmarrësve. “Propozuesin për konferencë ndërkombëtare e kemi këshilluar që të heqë dorë. Kërkohet edhe nga ju zgjim që t’i ndërpritni këto ide që nuk janë në interes të kombit”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në fund të janarit, kreu i Qeverisë ka listuar pesë kushte për ndërkombëtarët në këmbim të heqjes së taksës për importet serbe, vendimmarrje kjo që Beogradi zyrtar e kërkon për t’u rikthyer në dialog.

Dy të parat lidhen me organizimin e një konference ndërkombëtare për Kosovën, nga e cila do të dilej me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Ideja e kreut të Qeverisë ishte kundërshtuar jo vetëm nga Thaçi, por edhe nga partnerë të koalicionit dhe nga shoqëria civile e opozita.