Fjalë Kyçe

“Presidenti nuk e dekreton Ligjin për Paga”

“Presidenti nuk e dekreton Ligjin për Paga”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ua ka plotësuar kërkesën shumë kategorive të punëtorëve të sektorit publik për ta kthyer Ligjin për Paga në Kuvend.

Ai ka zgjedhur që, as mos ta kthej, e as mos ta dekretoj, por ta lë këtë ligj të futet në fuqi heshtazi.

Burime të AktivPress-it brenda Kuvendit të Kosovës kanë konfirmuar se presidenti nuk ka kthyer asgjë në Kuvend.

Kushtetuta e Kosovës, sikundër edhe Rregullorja e Punës së Kuvendit e parasheh që ligji hyn në fuqi në rastet e tilla.

“Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë (8) ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj/tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare”, thuhet në Kushtetutë.

Ditë më parë është paralajmëruar  se presidenti nuk e ka të lehtë për ta kthyer Ligjin për Paga në Kuvend.

Në rast se do ta bënte këtë, atëherë do t’i duhej të jepte versionin e tij për çdo nen të kontestuar.

Rregullorja e Punës së Kuvendit e parasheh që kur ligji kthehet nga presidenti për rishqyrtim, atëherë Kryesia e Kuvendit ia dërgon atë komisionit funksional raportues për shqyrtim.

Ky komision i shqyrton vetëm çështjet që i përmban vendimi i Presidentit dhe brenda dy javë pune, nga data e pranimit të tij, ia paraqet Kuvendit raportin me rekomandime.

Pastaj, Kuvendi me shumicën e votave të të gjithë deputetëve vendos për ose kundër miratimit të rekomandimit të komisionit për vërejtjet e Presidentit.

Nëse Kuvendi nuk e miraton rekomandimin e komisionit për vërejtjet e Presidentit, atëherë ligji mbetet ashtu siç është miratuar më parë nga Kuvendi dhe konsiderohet i shpallur.

Në Qeveri patën paralajmëruar se kthimi i mundshëm në Kuvend i Ligjit për Pagat do të ishte goditje për reformën shtetërore, pasi me këtë ligj pretendohet se i është dhënë arbitraritetit të pagave në sektorin publik.

Tash, Ligji për Paga pritet të hyjë në fuqi 9 muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.