Fjalë Kyçe

Presidenti s’e dekreton Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit, hyn në fuqi pas mesnate

Presidenti s’e dekreton Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit, hyn në fuqi pas mesnate

Ka tetë ditë që kur Ligji për Ndalimin e Lojërave të Fatit është dërguar nga Kuvendi tek presidenti Thaçi për dekretim.

Edhe ligjërisht, presidenti ka afat që deri sot në orën 00:00, të dekretojë atë, shkruan lajmi.net.

Në të kundërten, Ligji numërohet si i dekretuar në heshtje dhe hyn në fuqi vetëvetiu.

Burime të lajmi.net nga presidenca e Kosovës kanë treguar se Thaçi nuk e ka dekretuar ende këtë ligj.

Madje ai nuk pritet që këtë ta bëjë as në këto orë të mbetura.

“Ligji nuk është rikthyer për rishqyrtim. Presidenti nuk do ta dekretojë atë as sot kur është afati ligjor”, kanë thënë këto burime.

Rrjedhimisht, lojërat e fatit do të ndalohen edhe me ligj sot pas orës 00:00.

Fat të tillë kishte pasur edhe Ligji për Pagat, të cilin presidenti nuk e kishte dekretuar, mirëpo i njëjti kishte hyrë në heshjte në fuqi.

Theksojmë, se Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme kishte marrë vendim që të ndalohen të gjitha lojërat e fatit në vend, përveq Lotarisë së Kosovës.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ishte obliguar të hartonte një ligj për ndalimin e të gjithë lojërave të fatit.

Shkas për këtë nismë ishin marrë dy vrasje që ndodhën në vend, e që të dyja kishin për viktimë punëtorët e kazinove, në Lipjan dhe Suharekë.