Fjalë Kyçe

Presidentja Osmani reagon për incidentin e armatosur në Zubin Potok

Presidentja Osmani reagon për incidentin e armatosur në Zubin Potok

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me sulmin që u ndodhi sot anëtarëve të grupit “Kosova Mountain Club” në malet e Zubin Potokut, ku persona të panjohur gjuajtën me armë zjarri në afërsi të tyre.

Osmani ka thënë se çdo qytetar i Republikës së Kosovës duhet të ndihet i lirë dhe i sigurt gjatë lëvizjes në secilën pjesë të territorit të Kosovës.

Presidentja ka ftuar organet e rendit dhe hetuesisë që të zbulojnë autorët e këtij akti që ajo e quajti kriminal.

‘Dënoj sulmin e armatosur ndaj grupit të të rinjve nga “Kosova Mountain Club” në malet afër Zubin Potokut. Çdo qytetar i Republikës së Kosovës duhet të ndihet i lirë dhe i sigurt gjatë lëvizjes në secilën pjesë të territorit të Kosovës. Ftoj organet e rendit dhe hetuesisë që të vazhdojnë punën në mënyrë që sa më parë të zbulojnë dhe dënojnë autorët e këtij akti kriminal që synon përhapjen e frikës dhe ndjenjës së pasigurisë në atë pjesë të vendit tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Lidhur me këtë rast, për Telegrafin ka rrëfyer tërë ngjarjen edhe Arineta Mula njëra nga organizatorët e ecjes për ditën e sotme që ishte organizuar.

Ajo ka treguar se personat që kanë shtënë me armë zjarri ishin shumë afër tyre, dhe pas kësaj i tërë grupi janë kthyer mbrapa dhe kanë vazhduar ecjen në në një pjesë tjetër në Shalë të Bajgorës.