Fjalë Kyçe

Prindërit alarmohen me rënien e madhe të numrit të nxënësve në Kosovë

Prindërit alarmohen me rënien e madhe të numrit të nxënësve në Kosovë

Këshilli i Prindërve në Komunën e Prishtinës e ka cilësuar alarmante rënien e madhe të numrit të nxënësve viteve të fundit në Kosovë.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës kanë treguar një rënie prej rreth 90 mijë të numrit të nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme të ulët që nga viti shkollor 2008-2009.

Sipas Këshillit të Prindërve, këto statistika duhet të ishin alarmante për çdo vend e qeverisje. Prindërit janë shprehur të shqetësuar me ikjen me ritëm të lartë të qytetarëve nga Kosova.

“Ikja nga Kosova vazhdon me ritëm të frikshëm edhe pa liberalizimin e vizave. Vetëm vitin e fundit ishin 8,295 më pak nxënës në bankat shkollore të këtij niveli”, thuhet në një reagim të KPK-së të premten.

Në statistikat që ka nxjerrë ky këshill bëhet e ditur se në shkollimin fillor dhe mesëm të ulët në Kosovë në vitin shkollor 2008-2009 ishin 319,154 nxënës. Ndërsa 12 vjet më vonë, në vitin shkollor 2020-2021, ky numër ka rënë në 229,664 nxënës. Sivjet ishin 89,490 nxënës (ose 28%) më pak se 12 vjet më parë.

Gjithsej 80 shkolla të këtij niveli janë mbyllur për të njëjtën periudhë (2008-2009: 972 shkolla kundrejt 2020-2021: 892 shkolla), bazuar në të dhënat e ASK-së.

Ndërkaq në një raport të Institutit GAP në fillim të qershorit ishte identifikuar se në Kosovë numri i nxënësve ka rënë për 114 mijë për dhjetë vjet.