Fjalë Kyçe

Prindërit paguan për çerdhet që nuk punuan fare

Prindërit paguan për çerdhet që nuk punuan fare

Greva e arsimit që u mbajt në muajin e parë të këtij viti përveç që ka ndikuar negativisht tek fëmijët, ajo ka dëmtuar financiarisht prindërit që i kanë fëmijët në çerdhet publike.

Prindërit janë detyruar që ta shërbimin në këto institucione ani pse fëmijët e tyre nuk i dërguan në çerdhe sa vazhdoi greva në arsim.

Ata kërkojnë kompensim, kërkesë kjo që ia kanë bërë Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, por që ende nuk kanë marr ndonjë përgjigje.

Prindërit për krejt këtë çka ka ndodhur paralajmërojnë padi në gjykatë.

Amir Haxhiu njëri nga prindërit i cili i ka fëmijët në institucionin publik parashkollor “Gëzimi ynë” në Prishtinë shprehet i indinjuar, sesi janë detyruar ta paguajnë muajin janar edhe pse fëmijët e tyre nuk kanë shkuar fare në çerdhe sepse kishte grevë.

Ai thotë se kanë bërë ankesa, por kot. Deri më tani nuk është ndërmarr asgjë.

Haxhiu: Njëherë na thanë që po na e kompensojnë por tani jo“E kam paguar muajin janar dhe shkurtin…Nuk po presim kompensim, njëherë thanë se ndoshta po ua kompensojmë por tani thanë jo…Kemi bërë kërkesa, ankesa 100 por kot……Është dashur me na u kompensua por nuk po pyetemi ne, unë tre fëmijë i kam këtu, për të tretë paguaj…Më është dashur me këdo që kam mundur me u kujdes për fëmijët, i kam shpenzuar edhe 500 euro më së paku”, thotë Haxhiu.

E Muhamet Abdyli thotë se nuk e ka paguar çerdhen për muajin janar pa u marr një vendim nga Këshilli i Prindërve, por që, sipas tij, është e papranueshme kjo për shkak se ata për tri javë kanë shpenzuar më shumë nëpër çerdhet private.

Abdyli: Komuna ka thënë se nuk mund të na lirojnë nga pagesa

“Aktualisht ende nuk e kam paguar, po presim të shohim se si vendos Këshilli i Prindërve me veprua tutje, lidhur me pagesën e muajit janar. Prej komunës është konfirmuar se për momentin nuk mund t’u lirojmë për shkak gjithherë bëhet pagesa pavarësisht vijueshmërisë të fëmijëve”, thotë Abdyli.

Në kopshtin publik “Gëzimi ynë“ fëmijën e ka edhe Azem Duraku të cili nuk i duket në rregull mos kompensimi i parave.

Duraku: Nuk në rregull mos me na i kompensuar mjetet

 

“Po e kemi paguar. Kanë thënë se në ndërkohë se do e shqyrtojnë këtë çështje dhe do na njoftojnë, por ende nuk kemi ndërmarr ndonjë njoftim. Nuk është në rregull duhet të kompensohet pasi që shërbimin nuk e kanë kryer për atë pjesë që i kanë marr paratë”, tha Duraku.

 

Nderim Kamberi kryetari i Këshillit të Prindërve në institucionin parashkollor “Gëzimi ynë” thotë se për kompensimin e pagesave për muajin janar i janë drejtuar Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë me ankesë të shkruar edhe elektronike, por që këta të fundit ende nuk iu kanë kthyer përgjigje.

Madje ai ka paralajmëruar edhe padi ndaj komunës së Prishtinës dhe bojkotim të pagesave tjera nëse nuk u kompensohen mjetet e muajit janar.

Ai tha se disa përfaqësues të Këshillit janë takuar me disa përfaqësues të Drejtorisë Komunale për Arsim, por që përgjigja e tyre ishte se nuk ka bazë ligjore për t’i liruar nga pagesa, e këtë përgjigje Kamberi e quan jo profesionale.

“Deri me tash ende nuk kemi marr përgjigje (të cilën ka afat ta marrim deri me datën: 27.03.2019). Nëse nuk na kompensohen mjetet, ne konsultim me juriste do të procedojmë me padi edhe njëkohësisht do të ndërmarrim hapa tjerë të bojkotimit të pagesave që do t’i detyronim të ndërmarrin hapa më të shpejtë. Në anën tjetër kjo heshtje administrative e tyre na legjitimon që të ndërmarrim këta hapa”, thuhet në sqarimin e dërguar për KosovaPress nga Kamberi.

Ndërsa, drejtoresha e institucionit parashkollor “Gëzimi ynë“ në Prishtinë, Indire Zenelaj thotë se në këtë institucion mbi 90 përqind e prindërve e kanë bërë pagesën për muajin janar, ani pse fëmijët nuk kanë vijuar çerdhen për më shumë se gjysmën e këtij muaji.

Zenelaj tha se e mirëpresin çdo vendim të Drejtorisë së Arsimit.

Zenelaj: Mbi 90 përqind e prindërve e kanë bërë pagesën për muajin janar

“Diku mbi 90 përqind të prindërve kanë paguar muajin janar për arsye se tek ne faturat merren nga data 1 deri më datën 10. Ne kemi vazhduar me procedura si çdo herë tjetër për arsye se i kanë sjell fëmijët një pjesë të kohës gjatë muajit janar disa ditë të muajit janar”, thotë Zenelaj.

Në anën tjetër, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi thotë se ata merren vetëm me kompensim të orëve të humbura gjatë grevës, ndërsa për të tjerat duhet të bëjnë zgjidhje DKA-të.

Bytyqi: Ne flasim për orët e humbura, për të tjera përgjegjëse është DKA

“Ne flasim për humbjen e orëve të cilat janë dëmtuar nxënësit, ndërsa në çerdhe ka qenë një problematika për familjet, por nuk është që është humbur diçka në mësim nxënien e këtyre ditëve, pasi që një pjesë e parashkollorëve dhe çerdheve nuk kanë ndonjë program të caktuar që mund të jetë themi një defekt në madh në humbje. roblemet tjera mund t’i zgjedhin përmes komunave sepse secili ka marrëveshje me komunë”, thotë Bytyqi.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Ismajl Kurteshi e konsideron të padrejtë këtë.

 

Ai akuzon MASHT-in, duke thënë se për tema të ndjeshme në arsim gjithmonë përgjegjësinë po ia hedh DKA-ve.

 

Kurteshi: Nuk duhet me i ngarkuar prindërit me diçka që nuk kanë gëzuar shërbime

“Mendoj se për zero shërbim pagesa ose obligimi është zero, nuk mund të kërkosh prej dikujt të paguaj për diçka që nuk është shërbyer, nuk iu ka kryer puna për të cilin ai paguan. Prandaj unë mendoj që është e padrejtë nga prindërit që të kërkohet të paguajnë për kohën derisa fëmijët e tyre kanë qëndruar në shtëpi, ose ata është dashur të paguajnë dikën tjetër për të kompensuar. Sesi do të zgjidhet kjo çështjes në mes të mësimdhënësve, sindikatës dhe qeverisë është çështje tjetër, por mendoj se nuk duhet me i ngarkuar prindërit me diçka që nuk i kanë gëzuar shërbimet”, deklaron Kurteshi.Nga komuna e Prishtinës përmes telefonit i kanë thënë KosovaPress se çështja e pagesës për çerdhet publike gjatë muajit janar edhe pse kanë qenë në grevë, është vendim i kryetarit, Shpend Ahmeti dhe duhet të respektohet.

Pagesën e muajit janar për çerdhet publike e ka kundërshtuar edhe kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti i cili ka kërkuar që të kompensohen orët e humbura për të cilat prindërit kanë paguar edukatoret.

“Kemi pasur ankesa të prindërve për këtë çështje sidomos për arsye kur të dy prindërit kanë qenë në punë dhe kanë rrezikuar për ta humb punën për tu kujdesur për fëmijët gjatë kohës kur çerdhet nuk kanë punuar sepse ishin në grevë. Prindërit nuk duhet të paguajnë për 3 javë, ndërsa edukatoret tani duhet ta bëjnë kompensimin e orëve të humbura të punës për të cilën janë paguar nga prindërit”, thotë Reshiti.

Kujtojmë që gjatë muajit janar i gjithë sistemi arsimor në Kosovë ka mbajtur grevë për tre javë me kërkesën për rritje të pagave.