Fjalë Kyçe

Prishet asfalti dy centimetërshe në këtë pjesë të kryeqytetit

Prishet asfalti dy centimetërshe në këtë pjesë të kryeqytetit

Rruga “Muharrem Fejza” në lagjen Mati 1 të Prishtinës nuk po e mban asfaltin. Ajo fillimisht u asfaltua në vitin 2004. Por, nga viti 2014, kur filloi ndërtimi i hovshëm i lagjes Mati 1, kjo rrugë vazhdon të jetë plot me gropa, ani pse administrata e kryetarit Shpend Ahmeti ndërhyri disa herë në të.

Në fund të vitit 2016, rruga “Muharrem Fejza”, u asfaltua për të dytën herë. Paraja publike u investua në të pa asnjë kriter. Si në asnjë rast tjetër, asfalti që u hodh në rrugë ishte i trash më pak se 2 centimetra dhe dyshohet se Komuna i shpërfilli edhe kriteret teknike të shkruara në tenderin që u punua kjo rrugë.

Për këtë rrugë nuk ka pasur tender të veçantë, por ai ishte bërë me tenderin që quhej “Sanimi i gropave dhe deformimeve të shtresave të asfaltit dhe trotuaret në Komunën e Prishtinës për vitin 2016”, për të cilin ka qenë e angazhuar kompania “Toifor”.

Ndonëse, ishte intervenuar para tri viteve duke u asfaltuar e gjithë pjesa, Komuna ka intervenuar përsëri në këtë rrugë duke mbyllur gropat kohë pas kohe.

Komuna thotë se investoi përkohësisht

Në Komunën e Prishtinës indirekt e pranojnë se paraja publike u hodh mbi rrugë pa asnjë kriter. Ata thonë se kanë një planë detal për të.

“Ajo rrugë është shtruar pa plan dhe pa projekt nga qeverisja e LDK-së shumë vite më parë. Si rrjedhojë, as nuk është nivelizuar, ka gjithmonë probleme, dhe kërkon investim të madh. Të gjitha investimet që i kemi bërë ne, kanë qenë ‘ad hoc’ sa për t’i sanuar prishjet e rrugës, meqë ka munguar plani dhe projekti i asaj rruge. Para dy viteve është punuar në të me kontratën për sanim të gropave, pra është intervenuar me një shtresë të hollë të asfaltit sa për t’i mbuluar gropat që kanë qenë.
Intervenimet e herë pas hershme që i kemi bërë, kanë qenë një zgjidhje e përkohshme, e jo të përhershme. Ajo rrugë duhet të ndërtohet nga fillimi, për çka ne tashmë i kemi bërë edhe projektet konkrete”, ka thënë për lajmi.net Adonis Tahiri, zyrtarë për informim në Komunën e Prishtinës.

Ai tha se komuna e ka një plan investiv për këtë pjesë në të ardhmen.

“Si Komunë, jemi duke shqyrtuar dy mundësi për zgjidhjen e problemit të rrugës “Muharrem Fejza”, ta ndërtojmë prej fillimit dhe ta bëjmë rrugë njëkahëshe, apo ta ndërtojmë si rrugë dykahëshe, për çka ka edhe probleme pronësore në disa pjesë të saj”.