Trotuaret ku lëvizin këmbësorët janë të zëna nga veturat, në mungesë të vendparkingjeve.
Ato nuk do të dukeshin kështu, nëse komuna e Prishtinës do të mbante premtimin për zgjidhjen e problemit të parkingjeve përmes ndërmarrjes “Prishtina Parking”, e cila është themeluar para 3 vjetësh, por që ende nuk është funksionalizuar, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Gjetja e një hapësire adekuate për ta parkuar veturën në “Ulpianë” apo lagje të tjera, është shumë e vështirë.
Andaj, duhet të kthehesh prapa për të gjetur zgjidhje në ndonjë lagje tjetër të kryeqytetit.
Pas dy tentimeve të dështuara, komisioni i aksionarëve të “Prishtina Parking”, ka arritur që nën mbikëqyrjen e Ambasadës britanike të zgjedhë katër anëtarët e bordit.
Edhe pse ka votuar pro tyre, PSD-ja nuk është e kënaqur me rezultatin e konkursit publik, pasi thotë se Lulzim Pirraku, Sinan Pasha, Mahir Blaku dhe Naser Krasniqi, nuk janë njerëzit e duhur për këto pozita.
E zgjidhja e kaosit me parkingjet mund të shtyhet ende, pasi rekrutimi i anëtarëve mund të dështojë sërish. Kësaj radhe, për shkak të kuotës gjinore.
Lëvizja Vetëvendosje thotë se PSD-ja po synon ta dështojë konkursin, për shkak se sipas saj, nuk janë zgjedhur njerëzit që kanë lidhje me kryetarin Shpend Ahmeti.
Pretendimet e Eman Rrahmanit, aksionar i “Prishtina Parking” nga Vetëvendosje, i ka mohuar Drilon Pireva i PSD-së, duke i quajtur ato gënjeshtra.
Komuna e kishte publikuar njoftimin për zgjedhjen e anëtarëve të bordit, por që më vonë ai është fshirë.