Fjalë Kyçe

Prishtina paralajmëron tërheqjen nga garat në futboll

Prishtina paralajmëron tërheqjen nga garat në futboll

Prishtina ka paralajmëruar tërheqjen nga Superliga e Kosovës. Përmes faqes së klubit në Facebook, Prishtina ka njoftuar se shumë futbollistë e trajnerë janë dëmtuar “nga sulmi i policisë, sidomos nga spreji i përdorur, por ka edhe lëndime tjera”, pas ndeshjes me Gjilanin, e vlefshme për xhiron e 29-të të Superligës.

“FC Prishtina me gjasë, 99% do të tërhiqet nga garat!”, thuhet në njërin postim të klubit.

Pas ndeshjes së humbur 2:1 nga Gjilani, trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, ka shkuar në drejtim të treshes së gjyqtarëve për të kërkuar llogari, por aty ai është penguar nga Policia e Kosovës, derisa njëri prej tyre ka përdorur sprejin në drejtim të zyrtarëve të klubit.

Në fillim të pjesës së dytë, Prishtina mbeti me një futbollist më pak në fushë pas kartonit të kuq të portierit Visar Bekaj, si lojtar i fundit. Prishtina kishte reaguar ashpër në vendimin e gjyqtarit, Kreshnik Vula, për përjashtim.