Fjalë Kyçe

Prishtina reagon ashpër pas humbjes nga Llapi

Prishtina reagon ashpër pas humbjes nga Llapi

Skuadra nga kryeqyteti ka reaguar pas humbjes nga Llapi me rezultatin 0:1, në takimin e zhvilluar sot, shkruan GazetaAlo.

Ky është reagimi i Prishtinës.

– Krijohet përshtypja që Llapi e deshi fitoren më shumë dhe nuk pati nevojë për ndihmën e gjyqtarit kryesor i cili në dy raste dëmtoi Prishtinën, për një gol të anuluar dhe një penallti të pa dhënë në minutat e fundit të lojës shtesë. Sidoqoftë, përderisa në pjesën e parë u pa Prishtinë më e sigurt, në të dytën nga goli i hershëm i pësuar pothuajse u çorganizua komplet dhe vetëm fati e shpëtoi pa pranuar edhe golin e dytë e të tretë. Megjithëse edhe në pjesën e dytë e me shumë tensione, u krijuan disa situata të rrezikshme para portës vendase, rezultati mbeti i pandryshuar nga ajo e minutës 47-të (shënon Januzi).

Prishtinën kjo humbje e largon 5 pikë larg Feronikelit – skuadër kjo me të cilën Prishtina ndeshet të mërkurën nga ora 17:00. Ndërsa Llapi me këto tre pikë iu është afruar Prishtinës në dy pikë.

Llapi – Prishtina

Java XX

Llapi – Prishtina 1:0 (0:0)

Golashënues: Ahmed Januzi 47’

Shikues: 3.000

Gjyqtarë: Selim Isufi (Mt), Benon Këpuska (Gjk), Gzim Mehmeti (Mt) – Erdall Zasella (Mt)

KV: E. Haxho, B. Emini, H. Namani, M. Zhdrella, E. Sinani – A. Dallku, A. Bashiru, B. Khalid, A. Hoxha

KK: A. Dallku (2KV min. 90’+6)

Llapi: 12. Eglant Haxho – 8. Benjanin Emini, 5. Elvis Prençi, 4. Bujar Idrizi, 18. Ilir Blakçori, 16. Hamdi Namani (14. Egzon Sinani – 85’), 20. Behar Maliqi, 7. Mentor Zhdrella, 97. Festim Alidema (77. Valmir Veliu – 71’), 11. Miran Maksuti (25. Remzifaik Selmani – 61’), 27. Ahmed Januzi. Kryetrajner: Xhengis Rexhepi.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Bekteshi, 4. Armend Dallku /c/, 13. Abdul Bashiru (21. Argjend Mustafa – 82’) – 5. Diar Miftaraj, 3. Jamal Arago, 18. Ergyn Ahmeti (27. Marjo Morina – 59’) – 10. Meriton Korenica (17. Arbër Hoxha – 60’), 15. Gauthier Mankenda, 9. Basid Khalid. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Donat Hasanaj, Ahmet Haliti, Mergim Pefqeli. Kryetrajner: Mirel Josa.

Komenti:

Derbi rajonal, por edhe tabelor, u përshkrua me shumë incidente në fushë dhe me gabime të gjyqtarit që sanksionoi Prishtinën. Por, ishte Llapi që e kërkonte më shumë fitoren, sidomos në pjesën e dytë, sepse të parën nuk kishte diçka domethënëse me gjithë nga 2-3 tentime nga dy skuadrat.

Pjesa e dytë nisi mirë për vendasit me golin e Januzit (47’) dhe pas golit vetëm fati u mungoi të shënon dy herë tjera nga raste të pastra. Pastaj edhe Prishtina u ngjall, mbante kundërshtarin në trysni duke shënuar pas këndores (Mankenda) dhe anulimi i tij për pretekst të faullimit në portier – çka në fakt ishte penguar nga bashkëlojtari i tij.

Incidentet

Në minutën e fundit të shtesës prej 6-minutave (nuk u luajtën as 2 të plota!), Mankenda u pengua brenda zonës, pasuan reagime të ashpra të futbollistëve mysafir, përleshje mes futbollistëve dhe kartoni i dytë i verdhë për Dallkun.

Sidoqoftë, Prishtina nuk ia doli të paktën të shpëtonte një pikë dhe tani me Feronikelin e ka me patjetër fitoren që të ngushtoj distancën sërish në dy pikë.

Minutë pas minute:

3’ Arago me gjuajtje të rrëmbyeshme nga distanca tremb vendasit, pak mbi tra.

12’ Dallku nga gjuajtja e lirë prej mesfushës tenton të befasoj portierin vendas, e lartë.

22’ Khalid në zonë nga e majta, po sa lirohet ia del të gjuaj, por jashtë.

26’ Alidemaj harkon këndoren e djathtë, Januzi nga pozitë e mirë shkëputet e gjuan me kokë, por drejt në portierin Bekaj që nuk lejoi të befasohej.

40’ Alidema provon depërtimin nga anash në qendër e pastaj gjuan plogësht e larg portës.

47’ Zhdrella me top të gjatë nga mesfusha në zonë te Januzi çuditërisht i pambuluar mirë, pranon top me gjoks, kthehet nga porta dhe e vendos topin në rrjetë – 1:0.

55’ Gjuajtje e lirë për Prishtinën në fushën e saj, gabohet në nisje dhe kundërzbritje e frikshme vetëm se nga e majta Maksutit i ikën topi megjithëse Bekaj ia kishte ngushtuar këndin.

57’ Kundërzbritje e shpejtë e Januzit nga e djathta i cili e dërgon topin para portës te Maksuti i vetëm me Bekajn dhe gjuan keq e mbi tra nga pozitë e jashtëzakonshme shënimi.

59’ Arago kërcënon me gjuajtje të fortë ballore, intervenon dhe shpëton gol portieri Haxho.

60’ Tjetër dalje e Zhdrellës, nga e djathta, e pason topin krejtësisht në kahun tjetër te shtylla e dytë ku Januzi i vetmuar nuk ia del të gjuaj në portë, por jashtë.

69’ Morina ia vazhdon majtë Mankendës e ky harkon para portierit ku ndodhet Khalid i cili ia del të gjuante me kokë, por topi del jashtë skaj pingule.

Rasti i golit te anuluar

70’ Pas harkimit të këndores, intervenon portieri vendas, e lëshon topin nga duart pas përplasjes me një bashkëlojtar, shënon në portën zbrazët Mankenda, por i anulohet me pretekst të ndërhyrjes së palejueshme.

74’ Januzi nga e majta depërton drejt qendrës, ia vazhdon Maliqit që gjuan ulët, por edhe jashtë pingules së majtë.

85’ Kornerin e majtë e harkon Morina, Hoxha ia del të gjuante me kokë dhe vetëm për disa centimetra nuk ishte i saktë, jashtë.

90’+6 Prishtina në sulm, topi vije te Mankenda nga ana e djathtë pas disa manovrash i drejtohet portës e pengohet nga Blakqori, gjyqtari Isufi hesht. Revoltë e madhe e Prishtinës, inkuadrohen futbollistët e Llapit, ka edhe përleshje ndërmjet dy palëve dhe në fund ndëshkohen me të verdhë Khalid dhe Dallku – respektivisht të dytin.

Deklaruan:

Mirel Josa: Pa dyshim që merituam më shumë. Në pjesën e parë ishim më dominues. Në zhvillim loje do të duhej të ishim më të dendur në zonën e kundërshtarit, duhet të ishim më kërkues aty. Megjithatë ne me golin që morëm në aksionin e parë të pjesës së dytë të Llapit, ishte gol shumë naiv i cili nuk mund të merret në këtë mënyrë. Pastaj ne në vazhdim patëm probleme në qetësi. Duhej të ishim shumë më të qetë në zhvillimin e lojës, sepse loja nuk përfundon në minutën e 50-të. Normal që nuk duhej të humbnim, por futbolli i ka këto gjëra. Nuk mund të jesh i kënaqur me kërkesat që i ka skuadra jonë megjithatë do të shohim se si mund të rikuperojmë. Dhe kur them qetësia, sot ka qenë qetësia që i ka munguar skuadrës në lojë gjë që e kishim në pjesën e parë, por në pjesën e dytë nuk pati fare qetësi në zhvillimin e lojës, qoftë në organizim, qoftë qetësi kur ekipi kundërshtar donte të vononte lojën ose me faulle apo problemet tjera që ndodhën qoftë me arbitrim. Prishtina nuk ka asnjë lloj presioni. Prishtina do të luaj futboll deri në fund dhe do të shikojmë se si do të shkojnë punët.

Xhingis Rexhepi, kryetrajner i Llapit: E kemi ditur që Prishtina është skuadër shumë e fortë dhe nga të gjithë konsiderohet së bashku me Feronikelin si favorit, por sot në fushë nga minuta e parë deri te ajo e fundit vetëm një ekip kishte në fushë dhe ajo ishte Llapi. Gjatë tërë kohës e patëm ndeshjen nën kontroll duke zhvilluar lojë të mirë, shënuam një gol dhe humbëm edhe 3-4 raste. Kjo tregoi edhe pse nuk konsiderohemi favorit, por në fushë treguam diçka tjetër. Futbollistët janë më meritorët, por normal ne si staf teknik kemi bërë shumë mirë analizën e kundërshtarit. Ato shenja ne i dhamë edhe me Feronikelin duke qenë skuadër shumë më e mirë, por atë ditë ishte ditë e keqe për disa futbollistë ku nuk na funksionoi zona e tretë, por sot të gjithë zonat funksionuan si një ekip duke e mposhtur një skuadër tejet të fortë duke mos i lejuar rast gjatë 90-minutave. Edhe ne në Drenas jemi dëmtuar dhe nuk kemi bërë shumë zhurmë, kurse Prishtinës nuk i ngjan aso penalltie, sepse është skuadër shumë e fortë dhe jo të kërkojnë alibi se sa e pamë nga jashtë nuk kishte asnjë lloj kontakti. /GazetaAlo