Fjalë Kyçe

Pritet shkarkimi i një ministri të AKR-së

Pritet shkarkimi i një ministri të AKR-së

Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon të mos ketë rehati. Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli është i pakënaqur edhe me ministrin e radhës në këtë dikaster, Ekrem Mustafën, pasi që ky i fundit nuk është i dëgjueshëm. Madje, po shqyrtohet edhe mundësia e lirimit të tij nga kjo detyrë.

Ministria më problematike po del të jetë ajo e Punëve të Brendshme. As ministri i tretë, nuk po del të jetë i duhuri.

Edhe Ekrem Mustafës po i lëkundet karriga e ministrit.

Siç merr vesh RTV Dukagjini, zëvendëskryeministri njëherësh kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, është duke e shqyrtuar mundësin e lirimit nga detyra ministrin e Punëve te Brendshme, Ekrem Mustafa.

Kjo pakënaqësi, siç merr vesh televizioni, vjen pas mos kënaqshmërisë së Pacollit me punën e Mustafës. Pakënaqshmëria ndërlidhet edhe me mosdëgjimin nga ana e ministrit. Krejt këto Pacolli i ka adresuar përmes një shkrese.

Mundësia e shkarkimit është mohuar nga kabineti i shefit të AKR-së.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i Pacollit ka thënë se kjo nuk qëndron. Ndërsa edhe vet ministri Mustafa e ka mohuar këtë, duke thënë se letra e dërguar nga Pacolli është vetëm rekomandim.

“Skam marrë letër qortuese, por një rekomandim që është si rregull komunikimi me MPJ dhe unë pas disa ditëh e kam shpallë person të padëshirueshëm personin në fjalë, sepse më ka marrë kohë mu konsultu me mekanizma të sigurisë në vendin tonë”, tha ministri i brendshëm, duke thënë se kjo nuk ka ndikuar asgjë në prishje të marrëdhënieve me bashkëpartiakët.