Vrasësi i Triumf Rizës do të jetë dëshmitar në rigjykimin e mafiozit prishtinas, Enver Sekiraqa që po akuzohet për shtytje në vrasje pikërisht për këtë rast. Për krimin që ndodhi në vitin 2007, ende nuk është vërtetuar se kush qëndron prapa, edhe pse dorasi tashmë veç është dënuar.
Enver Sekiraqa, në vitin 2016 u dënua me 37 vjet burg për nxitje në kryerje të vrasjes së ish-policit Triumf Riza. Por, 1 vit pas dënimit, Gjykata e Apelit rastin e ktheu në rigjykim, i cili po vazhdon të mbahet ende.
Në seancën gjyqësore të rigjykimit, avokatja e të akuzuarit Enver Sekiraqa, Kosovare Kelmendi, ka kërkuar që në vazhdën e dëgjimit të dëshmitarëve, të dëgjohet edhe vrasësi i Triumf Rizës, Arben Berisha.
Arben Berisha është i dënuar me 35 vjet burg për vrasjen e ish-policit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Triumf Riza, vrasje kjo që ndodhi më 30 gusht 2007.
Misteri i këtij krimi ende nuk është zbuluar, edhe pse për nxitje në vrasje po akuzohet mafiozi i prishtinas Enver Sekiraqa.
I dënuari Arben Berisha, megjithatë, asnjëherë nuk e ka pranuar se është nxitur nga Enver Sekiraqa që ta kryente krimin. Edhe vetë Sekiraqa e mohon se e ka bërë këtë.
Rasti është kthyer në rigjykim nga Apeli, pasi provat e prokurorisë lidhur me këtë akuzë ndaj Enver Sekiraqës, nuk janë dhe aq të qëndrueshme.
Në seancën e së premtes, kryetari i trupit gjykues Shasivar Hoti e aprovoi kërkesën e avokates së të akuzuarit, e cila kërkoi dëgjimin e të dënuarit për vrasjen e Triumfit, Arben Berisha.
Berisha, do të dëgjohet si dëshmitar muajin tjetër lidhur me vrasjen dhe lidhur me akuzat e prokurorisë kundrejt Enver Sekiraqës, se ky i fundit e ka paguar Arben Berishën për ta vrarë Triumf Rizën.
“Dëshmia e tij do të kontribuonte në sqarimin e drejtë të kësaj çështjeje penale”, ka thënë avokatja Kosovare Kelmendi.
Pasi në këtë rast gjyqësor ka shumë dëshmitarë, Gjykata vendosi ta aprovojë edhe një propozim tjetër të avokates Kelmendi. Ajo kërkoi që të lexohen deklarimet e dhëna në gjykimin e kaluar nga dëshmitarët Bujar Makiqi, Fitim Avdiu, Fjolla Morina, Kemajl Dumnica, Jari Tonteri, Driton Hajdari, Refki Bunjaku, Astrit Dibra, Asrie Gashi, Naser Sekiraqa, Drita Hoxha, Osman Mehmeti, dëshmitarja “A”, Ardian Grezda dhe Qenan Qerimi.
Të gjithë këta dëshmitarë, në gjykimin e kaluar për këtë rast, kanë dhënë dëshmi para gjyqtarëve të EULEX’it. Të njëjtat deklarata, do të përdoren edhe për këtë rigjykim.
Express ka përcjell rigjykimin e rastit të Enver Sekiraqës dhe publikuar dëshmitë e dëshmitarëve që u dëgjuan nga trupi gjykues i EULEX’it dhe më pas edhe vendor.
Enver Sekiraqa, më 17 maj të vitit 2016, u dënua me 37 vjet burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për dy vepra penale “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe “detyrim”, por për akuzën e “dhunimit” ai u pat liruar.
Në tetor të vitit të kaluar, Enver Sekiraqa kaloi nga paraburgimi në masën e arrestit shtëpiak, me vendim të Gjykatës së Apelit. Por nuk i ra shumë të qëndrojë në shtëpi, dhe kështu u kthye pas dy ditësh prapë në paraburgim, sërish me vendim të Apelit.
Arsyeja e kthimit në tij në paraburgim, ishte sepse ditën që Sekiraqa u lirua në arrest shtëpiak, ishte publikuar një fotografi në rrjet social nga miqtë e Sekiraqës, të cilët kishin shkuar për vizitë tek ai.
Kjo, u konsiderua si shkelje e masës së arrestit shtëpiak nga ana e Gjykatës së Apelit dhe kështu Enver Sekiraqa u kthye në paraburgim pas dy ditëve qëndrimi në shtëpi.
Aktakuza ndaj Enver Sekiraqës u ngrit në prill të citit 2014 nga ana e Prokurorisë Speciale të Kosovës. Ai fillimisht u akuzua për se ka nxitur vrasjen e Triumf Rizës dhe veprën penale “detyrim” e “dhunim”. Për dy veprat e para u dënua atëherë dhe për këtë të fundit u lirua.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, pas incidentit që kishte ndodhur atëkohë “Swiss Casino” në Prishtinë, në mes të Triumf Rizës dhe Enver Sekiraqës, ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e ish-policit të Njësisë Speciale të Kosovës.
Rasti i “Swiss Casinos” ka ndodhur në vitin 2006, kur Enver Sekiraqa bashkë me shoqërues të tij, dhe i ndjeri Triumf Riza, bashkë me ish-policin tjetër, Arben Islami, ishin përfshirë në përleshje.
Nga ky incident, mbeti i plagosur Arben Selmani.