Fjalë Kyçe

“Procesi i Open Balkan po bëhet konkret, rast i humbur për Kosovën”

“Procesi i Open Balkan po bëhet konkret, rast i humbur për Kosovën”

Takimi i Beogradit po i jep formë konkrete nismës “Ballkani i Hapur”. Me këtë qëndrim, analisti Mentor Nazarko, për Euronews Albania tha se projekti tashmë ka zbritur në terren, por mbetet i paplotë pa pjesëmarrjen e 3 shteteve të tjerë në rajon.

“Është një proces i cili nuk po ecën me shpejtësi të jashtëzakonshme. Mendoj se për arsye të ndryshme, po e pengon mëdyshja e shteteve mospjesëmarrëse. Këto do t’i jepnin formë të plotë inicativës e cila në gjykimin tim nuk është alternative dhe nuk është konkurrenciale me Procesin e Berlinit, përkundrazi e ndihmon atë”, thotë analisti Nazarko.

I pyetur se a mendon që ky proces mund të përshpejtojë integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, zoti Nazarko tha se BE-ja nuk do të tërheqë brenda vetes problemet e pazgjidhura të këtyre vendeve.

“Bashkimi Evropian nuk do të tërheqë brenda vetes problemet e këtyre vendeve. Këto janë probleme historike dhe aktuale. Nuk do pra të ftojë anëtarë të rinj që kanë telashe me njëri – tjetrin. Ky proces që po shohim këtu është një lloj ushtrimore e tolerancës dhe marrëveshjes që ekziston brenda vendeve të rajonit dhe në gjykimin tim është një rast i humbur për Kosovën që nuk po e përshpejton procesin e saj të integrimit ndërkombëtar” thotë Nazarko.

Në veçanti, Nazarko thotë se Kosova po humb një rast të mirë për zhvillim ekonomik.

“Unë mendoj që edhe në tryeza si kjo, problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë do të kishin një forum se ku të trajtoheshin”, u shpreh ai.