Një profesor nga Universiteti i Zagrebit pritet që ta zgjidhe të gjithë ‘hallakamën’, e krijuar në vend ditëve të fundit rreth ariut të murrmë i cili tash e disa muaj po shëtitë në rrethinën e Prizrenit.
Ai pritet që nesër t’i udhëzojë institucionet e shtetit rreth mënyrës se si duhet vepruar me ariun problematik. Ky profesor kroat do të sillet në Kosovë nga ana e zyrtarëve të Pyllit të Arinjve. E akomodimi në Kosovë dhe qëndrimi këtu për 2 ditë, zyrtarëve të Pyllit të Arinjve do t’i kushtojë rreth 1 mijë euro.
Slaven Reljiq, profesor në Universitetin e Zagrebit, sot gjatë mbrëmjes pritet që të vijë në Kosovë.
Misioni i tij do të jetë i veçantë. Ka për detyrë që t’i udhëzojë institucionet kosovare rreth mënyrës së si të veprojnë me ariun e murrmë, i cili ka më shumë se një muaj që po endet maleve e rrugëve të Prizrenit. Madje një familjes atje, ky ari, raportohet se ia ka mbytur disa dele e gjedhe.
Marrë parasysh këto, Inspektorati i Agjencisë së Pyjeve kishte urdhëruar që ariu brenda afatit kohor prej 15 ditëve të zihet dhe të vritet. Por kundër këtij vendimi kishin dal institucione të ndryshme kosovare duke u nisur prej zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit ndërsa kishin shpërthyer edhe reagime në rrjetet sociale.
Kreu i kësaj ministrie, Fatmir Matoshi, i tha të mërkurën Expressit se nuk do të lejojnë që ariu të vritet si dhe ai paralajmëron padi ndaj secilit zyrtarë apo person tjetër që e vret atë.
“Ne i qëndrojmë pas deklaratave. Ariu nuk duhet të vritet. Andaj po bëjmë thirrje që një gjë e tillë të mos ndodhë”, i tha Matoshi gazetës.
Ai deklaroi se nesër do të marrin pjesë në takimin me profesorin kroat i cili do t’i udhëzojë ata rreth mënyrës se si duhet vepruar me ariun.
E ndërkohë kundër vendimit të Inspektoratit të Agjencisë së Pyjeve kanë dalë edhe zyrtarë nga Pylli i Arinjve. Këta të fundit kanë në hapësirat e tyre rreth 16 arinj, por jo edhe për ariun e murrmë nga Prizreni.
Por, këta zyrtarë tashmë i kanë rekomanduar një zgjidhje institucioneve kosovare. Nga Kroacia do ta sjellin një profesor i cili merr vesh rreth mënyrës se si duhet trajnuar arinjtë e tillë.
Diskutimet me profesorin Slaven Reljiq, do të fillojnë nesër në orën 09:00 të mëngjesit si dhe do të zgjasin dy ditë. Pjesëmarrës në takim do të jenë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, të Agjencionit për mbrojtjen e mjedisit, të Inspektoratit të Agjencisë së Pyjeve si dhe zyrtarët e parkut nacional të Sharrit.
Zyrtarë nga Strehimorja “Pylli i Arinjve”, aty ku strehohen të gjithë arinjtë të cilët kanë qenë të shpërndarë në të gjithë Kosovën, kanë deklaruar se sjellja, akomodimi i profesorit kroat si dhe përgatitjet e tjera për konferencën u kanë kushtuar atyre rreth 1 mijë euro.
“Profesori sot në mbrëmje do të jetë në Kosovë. Nesër në mëngjes ne do ta nisim takimin me të dhe zyrtarë të tjerë të shumë institucioneve që janë të përfshira rreth çështjes se si duhet reaguar me ariun e murrmë”, ka deklaruar menaxheri i këtij pylli, Agim Mahmuti.
E ndërkohë ditë më parë u raportua se edhe njësitet e FSK’së kishin qenë të përfshira për gjetjen e ariut të murrmë. Por nga ky institucion i sigurisë në vend kanë bërë të ditur se ata nuk kanë bërë kërkime për gjetjen e ariut të murrmë.
Ibrahim Berisha, zëdhënës në FSK ka thënë se lokacionit vetëm i është bërë analizë dhe se nuk kanë marrë tutje asnjë veprim për kapjen e tij.
“Jo ekipet tona nuk kanë shkuar atje për ta kapur ariun. Por ata kanë qenë vetëm për ta vëzhguar lokacionin”, ka deklaruar Shala.
Ndërkohë në fshatin Pousk të Prizrenit pronarit të deleve Ramell Demiri ariu dyshohet se ia ka mbytur 28 copë . Po ashtu edhe Tusun Krasniqi nga lagja Tusus Prizren, kishte qenë në hall me ariun. Atij ju kishin sulmuar mbi 5 koshere me bletë.
E ariu problematik i Prizrenit ‘debutimin’ e tij të parë e kishte bërë në muajin prill të këtij viti.